Bota

Portugalia dhe Irlanda i bashkohen ushtrisë evropiane

Këshilli Evropian thotë se pjesëmarrja në “PESCO” nuk është rivalitet ndaj NATO-s dhe misionet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, përkundrazi, i përforcon ato

Irlanda dhe Portugalia i janë bashkuar nismës franko-gjermane, që nga analistët interpretohet si një hap i madh përpara drejt krijimit të një ushtrie të përbashkët të Bashkimit Evropian.

Bëhet fjalë për atë që njihet si PESCO, mekanizëm që do të lejojë vendet anëtare që të zhvillojnë së bashku kapacitetet e mbrojtjes, të investojnë në projekte të përbashkëta, të rrisin gatishmërinë operative dhe kontributet për forcat e tyre të armatosura, shkruan “TCH”.

Irlanda, Portugalia, Danimarka dhe Malta ishin katër vendet e BE-së që ngurruan t’i bashkoheshin kësaj nisme, por duket se dy të parat kanë shfrytëzuar pikën që u lejon të përfshiheshin në këtë program në një moment të dytë, përcjell albinfo.ch.

Këshilli Evropian thotë se pjesëmarrja në “PESCO” nuk është rivalitet ndaj NATO-s dhe misionet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, përkundrazi, i përforcon ato.

Plani synon që pas vitit 2020 fondi për këtë strukturë të përbashkët ushtarake evropiane të jetë mbi 5 miliardë euro.