Opinione

Praktikimi i besëtytnive të rrezikshme

Besimet kulturore popullore diku-diku akoma nderohen sikur te ne, po ashtu edhe nëpër shumë vende të botës. Praktikumet e tilla njihen si magjike. Shembull: shkrimi i falltorëve, betimi i të sëmurit për të hequr dorë nga ndonjë ves: se nuk ka për të ngrënë më kurrë ndonjë ushqim, si: mish dhie apo nuk do të pastrojë rrobat të martave, etj., etj., pra premtime të hjekjes dorë nga ndonjë gjë sa për t’u shëruar.

Por, në këto bestytni popullore ka edhe veprime shumë të rrezikshme, të cilat popujt i kanë praktikuar duke shpresuar për shëndet e dashuri për jetë.

Një ngjarje të tillë reale po jua tregoj, por tani me apel e me shpresë që kurrë më askush të mos e praktikojë në jetë.

BUNARI I MUHAMETIT

Në fshatin Gaçkë të Ferizajt është një bunar me ujë të mirë e të ftohtë, i cili quhet “Bunari i Muhametit”.

E pak kush e di përse ky bunar ka pesëdhjetë vjet që e mban këtë emër. Unë e di, sepse i kam familjarë dhe këtë tregim po e shkruaj me respekt shumë të madh.

Prindërit e Muhametit kishin pasur një jetë plot lumturi e dashuri. Por, fëmijët e tyre nuk rronin. Kur lindi Muhameti, ata u gëzuan shumë, por fatkeqësisht edhe Muhameti u sëmurë.

Prindërit filluan të mërziten e të luten. Ata kërkonin ilaç për djalin e tyre të dashur.

Një ditë një grua po e këshillonte nënën e Muhametit të vogël: “Nëse e dëshiron shërimin e djalit, lidhe për këmbe me litar dhe lëshoje dalëngadalë në bunar derisa djali të prekë ujin. Pasi të ketë prekur ujin, pra pas zhytjes, tërhiqe litarin, nxirre djalin dhe ai do të shërohet”.

Nënës së Muhametit në fillim iu duk ritual i tmerrshëm. Në shtëpi i tregoi burrit me shumë frikë. Ai nuk i tha asgjë. Por, sikur i trembur nga ky mendim, e mori djalin nga djepi dhe u ngjit në dhomën lart, sikur donte t’i ikte mendimit që sapo i tha gruaja më parë.

E nëna mbeti aty në vend, duke menduar e rimenduar idenë e tmerrshme, të cilës s’po i bënte dot ballë.

Si do të mund ta lëshoj djalin tim në atë pus të zi terr… si, si, si t’ia marr dritën e syve të tij…

Po sikur të mos shërohet as ky…

Me këto mendime humbi saqë nuk e kishte ndier të shoqin duke i thënë: djalin e mori gjumi në dhomë, shko edhe ti e fle, moj grua, të lutemi e të mbështetemi në zot.

Por, ajo nuk fjeti prej asaj nate, nëntë net radhazi nuk vuri gjumë në sy.

Nëntë plagë u hapën në shpirtin e saj.

-Burrë, iu drejtua të shoqit një ditë, djali nuk po bëhet mirë, unë kam vendosur ta ….nuk mundi e nuk guxoi ta përfundonte fjalën.

-Bëj ç’të duash, ia ktheu i shoqi, pa e lënë të përfundonte fjalën, por nëse bie djali aty, hedhu edhe ti, pastaj po hidhem edhe unë, dhe duke thënë kështu, i ranë dy lot për fytyre dhe doli pa e ditur se ku po shkonte me këtë dhëmbje të pafund.

Nëna e plandosur rëndë, e mori djalin nga djepi. E përqafoi me lot në sy. Ia lau sytë, e bekoi me fjalë, me lutje e me dashuri. I ftoi fqinjët e saja ta përcillnin në këtë besëtytni, e lidhi fort e fort këmbën e djalit dhe filloi ta lëshonte dalëngadalë me shpirtin plot plagë, në pusin 22 metra të thellë.

Çdo lëvizje e litarit këpuste një damar të zemrës së nënës që ishte mbushur në vaj.

Kur e ndjeu në shpirt se djali kishte prekur ujin, ajo i shikoi sytë e mikeshave të saj. Ato kishin mbetur deri atë moment si dy përmendore e nuk po ndiheshin nga dhembja as gjallë, por tani i dhanë shenjë që të tërhiqte djalin, sepse magjia kishte bërë punën e saj.

Tani filloi beteja më e rëndë.

Zemra e nënës iu ishte ligështuar. Dy mikeshat, njëra majtas e tjetra djathtas, po luteshin si dy engjëj me sytë kah qielli.

Dalëngadalë nëna po shihte Muhametin si një yll në tavanin e qiellit të largët.

Ai filloi të qante. Nënës i dridhej i gjithë trupi.

Ajo kishte përjetuar në jetë shumë dhembje e tmerre, por kjo ishte beteja më e dhembshme. Tash pa frymë po e tërhiqte dalëngadalë djalin prej humnerës me shpirtin plot vrragë.

Kur arriti Muhameti të duket qartë, nëna vërejti se litari po i çlirohej nga këmba.

Iu duk se po e lëshonte krejt forca, se po i dorëzohej vdekjes.

Në këtë turbullirë ajo arriti të kapë djalin për këmbe me duart e një nëne malësore, me dashurinë e një nëne që ka zemrën e syrin e një shqiponje.

Dhe, më asgjë nuk pa, terr u bë gjithçka, terr si fundi i atij hendeku, ku e zhyti djalin me duart e saj, me nëntë net e nëntë ditë pa gjumë, me nëntë plagë. Ah, moj nënë…

Dikur vonë pa plisin e bardhë…nuk e dinte a kishin rënë pas Muhametit edhe ajo, edhe i shoqi në bunar…apo çfarë kishte ngjarë.

Zgjohu, moj grua, se djali është mire, e kjo luftë që bëre i qoftë për të mbarë!

Ai ia lëshoi djalin së shoqes në duar. Muhameti, i uritur, filloi të qajë. Ajo u ngjall.

E mori djalin në gji dhe disa herë e falënderoi zotin e madh, duke e lutur për shëndetin e të gjithë fëmijëve dhe djalit të saj.

Dielli mbi malin e Gaçkës i bekoi me rrezen e parë.

Muhameti është sot gjallë, ka një familje të mrekullueshme. Është në rolin drejtues në një ndërmarrje të njohur zvicerane.

Edhe nëna e tij është gjallë dhe për ne e ka një porosi: “Ruane shëndetin, por me mjek, e jo me besëtytni të tilla, sepse ankthi i asaj prove më ka ndjekur si frikë prore”.

Një legjendë thotë: “Kush pi ujë nga ai bunar, është i shëruar e me fat si Muhameti, do të jetojë i bekuar”.

Por edhe Muhameti ka një mesazh: “Jo më të zhytemi në bunar, se për t’u zhytur tani preferohen: Durrësi, Dhërmiu, Ksamili, Velipoja, Shëngjini,Lukova, Grama, Saranda, Jale…”

Shëndetin e paqit shoqërues në jetë, pa ndalur!

Hava Kurti Krasniqi