Zhvillim

Pranvera nga diaspora mbështet zhvillimin e Kosovës

Derisa të rinjtë nga Kosova janë të etur për të braktisur Kosovën, e kundërta ka ndodhur me Pranvera Ejupi-Hajzerajn. Ajo ka studiuar në Gjermani dhe përvojën e saj po e bartë në Kosovë

Pranvera është kthyer në Kosovë pas gati dy dekadash jete në Gjermani. Ajo tash apelon që diaspora shqiptare të kthehet e të kontribuojë më shumë në Kosovë, por edhe klasa politike të bëjë më shumë për diasporën dhe t’i krijohen mundësi, pasi shumë kanë dëshirë, por nuk iu ofrohen mundësi. Ajo në rrëfim për albinfo.ch tregon se si shkoi në Gjermani dhe pse vendosi të kthehet në Kosovë.

“Unë kam lindur në Prishtinë kurse në vitin 1992 së bashku me familje kemi shkuar në Gjermani. Kemi qenë të detyruar të largohemi, pasi babai im, Kamber Ejupi ka qenë i përndjekur politik. Ai gjithashtu ka udhëhequr federatën e sportit në Kosovë. Misioni ka qenë i qartë që një ditë të kthehemi dhe kontribuojmë për vendin tonë”, ka treguar në fillim Pranvera. Ajo ishte atlete e dalluar, madje kampione dhe rekordmene në hedhjen e shtizës, e treta në ish-jugosllavi. “Kemi shkuar në Mainz dhe mund të them se kemi pasur shumë fat, pasi na kanë pritur shumë mirë. Në fillim nuk ka qenë e lehtë, por jemi integruar mjaft mirë. I jemi mirënjohës këtij vendi, madje, babai im ka punuar në klubin e atletikës si trajner ku kam stërvitur unë. Kam vazhduar edhe tetë vjet me atletikë, kam qenë rekordmene dhe e gjashta në Gjermani me rekord prej 44.60 metrave. Përveç kësaj kam studiuar për Marketing dhe Komunikim, si dhe kam vazhduar magjistraturën ne Integrime Evropiane/Politika Zhvillimore”, ka shtuar tutje ajo.

  • Shembull i integrimit

Pasi kreu studimet, filloi të punojë në Gjermani. “Kam punuar kryesisht në sektorin bankar por edhe në administratë publike, si në Dresden Bank, Commerc  Bank, Pool Agentur e të tjera. Kam punuar më shumë se dhjetë vjet në Gjermani dhe tash, përvojën që e kam marrë në Gjermani po e transmetoj në Kosovë”, tregon Pranvera. Familja e saj është shembull i integrimit. Prindërit punuan si profesorë, babai profesor i sportit e nëna si matematiciente. Të pesë vajzat u morën me sport dhe të gjitha kanë studiuar. “Të gjitha motrat kemi studiuar dhe jemi marrë me sport. Besoj se këtë e kemi trashëgimi nga prindërit, që kanë qenë edhe frymëzim për ne”.

  • Misioni i saj

Pavarësisht se kishin kushte shumë të mira në Gjermani, ajo nuk e harroi misionin e saj. “Ne jemi larguar nga Kosova pasi kemi qenë të detyruar dhe jo nga dëshira. Familja jonë ka qenë e përndjekur politikisht. Kthimi në Kosovë nuk ka qenë i lehtë. Si të gjitha familjet kosovare, kemi dhënë kontributin tonë nga perëndimi, ku dimë qe remitancat kryesore vijnë nga jashtë. Fillimisht jam kthyer në vitin 2004 deri më 2007, kurse përfundimisht jemi kthyer më 2010. Ne gjithashtu kemi edhe nënshtetësinë gjermane, që do të thotë se e kemi pasur më lehtë për të lëvizur nga Gjermania në Kosovë e anasjelltas”, thekson Pranvera, e cila është nënë e dy fëmijëve, ndërsa burri i saj punon në KFOR-in gjerman. “Punoj në organizatën gjermane ‘GIZ’ si koordinatore projektesh për reformë juridike dhe administratë publike. Ne i mbështesim institucionet e Kosovës në forma të ndryshme institucionale dhe pothuajse në të gjitha sferat.

  • Mesazhi i saj

Jam e lumtur që mund të ndihmoj vendin tim dhe ky është mision im”, thotë Pranvera dhe në fund jep një mesazh për diasporën shqiptare dhe politikanët kosovarë.  “Diaspora kosovare mund të kontribuojë më shumë në Kosovë. Shumë prej tyre janë të shkolluar dhe të suksesshëm, kosovaret janë njerëz shumë ambicioz me vizione të qarta.

Kemi mjekë, inxhinierë dhe gati në të gjitha sferat kuadro profesionale që duan të kontribuojnë në Kosovë në mënyra të ndryshme. Madje, kemi shumë biznesmenë të suksesshëm dhe ata duhet të vijnë të investojnë në Kosovë, por klasa politike duhet t’u ofrojë mundësi, pasi që shumë prej tyre kanë dëshirë, por nuk munden. Politikanët duhet t’iu hapen dyert, në mënyrë që të investohet dhe të hapen vende të reja pune. Kosova ka nevojë për diasporën shqiptare, sepse Kosova është shtëpia jonë”, përfundon Pranvera Ejupi-Hajzeraj.

Ish sportiste e dalluar

Ajo ishte atlete e dalluar, madje kampione dhe rekordmene në hedhjen e shtizës, e treta në ish-Jugosllavi. “Pas kalimit në Gjermani, madje, babai im ka punuar në klubin e atletikës si trajner ku kam stërvitur unë. Kam vazhduar edhe tetë vjet me atletikë, kam qenë rekordmene dhe e gjashta në Gjermani me rekord prej 44.60 metrave”

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/pranvera-nga-diaspora-mbeshtet-zhvillimin-e-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.