Sport

Presidenti i Sionit dënohet me 100 mijë franga dhe 14 muaj jashtë stadiumit

Tashmë vendimi është marrë. Presidenti i Sionit, Christian Constantin e ka të ndaluar të hyjë në stadium për 14 muaj, si dhe duhet të paguajë 100 mijë franga si dënim, shkruan ‘Blick’.

Ngjarja kishte ndodhur më 21 shtator, kur Sioni kishte fituar në Kupë ndaj Luganos 2:1, kur presidenti i klubit kishte sulmuar ish-trajnerin dhe analistin Rolf Fringer (60), përcjell albinfo.ch.

Ai e kishte goditur atë disa herë, derisa fotografitë ishin përhapur në botë. Mediat zvicerane e kishin cilësuar këtë veprim si skandaloz.

Madje, presidenti i Sionit, ishte shprehur se nuk e ka ndërmend të kërkojë falje. “E kam goditur atë. Kjo më ka bërë të ndihem më mirë. Nëse sulmoheni, ju duhet të mbroheni”, kishte thënë ai pas sulmit, pasi analisti e kishte kritikuar për shkak të rezultateve të dobëta.

Ky nuk ishte rasti i vetëm kur presidenti i Sionit është në qendër të vëmendjes. Komisioni Disiplinor e dënoi me 14 muaj të qëndrojë larg stadiumeve, si dhe të paguajë 100 mijë franga.