Kalendari

Seminari i Mësimit shqip në diasporë

Punimet në periudhën 27-30 korrik 2015 në qytetin e bukur të Pejës

Të nderuar/a kolege e kolegë,

Duke uruar të jeni mirë me shëndet, familje e me punë, kemi kënaqësinë t’Ju njoftojmë se seminari i sivjetshëm, në bazë të marrëveshjeve  të duhura ndërmjet subjekteve të organizimit në Atdhe e në diasporë/mërgatë dhe pasi  janë konsultuar kalendarët shkollorë të shteteve përkatëse,do të zhvillojë punimet në periudhën 27-30 korrik 2015 në qytetin e bukur të Pejës. Pra, qytet mikpritës sivjet do të jetë Peja.

Seminari zgjat si zakonisht 3 ditë pune (punimet nisin pasditën e datës 27.07.2015 dhe  mbarojnë në  mesditën e datës 30.07.2015. Sikurse edicionet e mëparshme,  edhe ky do të bashkorganizohet nga MAShT e Kosovës,  MAS e Shqipërisë si dhe subjekte të tjerë mbështetës, ku qyteti mikpritës (Peja) do të ketë një rol të veçantë.

Në seminar angazhohen ligjërues shqiptarë kompetentë /ekspertë fushash përkatëse/ dhe titullarë e zyrtarë shteti  dhe një ligjërues i  i huaj nga qarqet përkatëse profesionale të ndonjërit prej shteteve ku zhvillohet MËSIMI SHQIP.

Si zakonisht, pjesën tjetër me shumë interes e përbëjnë prezantimet-ligjëratat profesionale të vetë mësueseve dhe të mësuesve, që do të prezantojnë përvoja personale të fituara edhe mbi baza  kërkimore-hulumtuese dhe empirike. Pra, parapëlqehen tema praktike dhe konkrete  që reflektojnë dobi  e interes profesional. Prezantimet e tilla, sipas një standardi tashmë të njohur, mesatarisht  zgjasin 20-30 minuta. Afati për konfirmimin e paraqitjes me prezantime-kumtesa të tilla është deri më 01 qershor 2015. Mësuesit  që synojnë të paraqiten me tema të tilla, përveç të dhënave themelore për veten dhe temën, fillimisht të dërgojnë edhe një abstrakt /shkurtore/ të temës prej 3-4 faqesh.   Po ashtu, meqë pjesa dërmuese e kohës së seminarit sivjet do të shpenzohet për punë në grupe tematike më të vogla si punëtori-workshope, ku të gjithë mësuesit/et do të jenë në role konkrete profesionale, janë të mirëpritura propozimet konkrete për zgjidhje konkrete.  Deri në të njëjtën kohë (01 qershor 2015) të paraqiten edhe propozimet për promovime krijimesh autoriale,kryesisht në fushat me interes didaktik  si tekste apo mjete mësimore.

Deri më 01 korrik 2015 do t’ua dërgojmë programin e plotë të seminarit.

Sic jeni në dijeni shpenzimet e qëndrimit  dhe të transportit (prej Tiranës  dhe Prishtinës për Pejë) i mbulojnë ministritë përkatëse.

Në sirtar (Attach.) gjeni edhe fletën përkatëse të paraqitjes-konfirmimit të pjesëmarrjes në Seminarin 2015, të cilën,  pasi ta keni plotësuar, e dërgoni në adresat:  [email protected] ose  [email protected]

Luteni që pjesëmarrjen tuaj ta konfirmoni deri më 01.06.2015.   

Po ashtu, luten të gjithë udhëheqësit/drejtuesit e webfaqeve të lidhura me shkollën dhe të mediave të tjera që këtë njoftim ta publikojnë sa më parë që është e mundur.

 

Me respekt,

Nuhi Gashi, MASHT e Kosovës (Tel . dhe faks: +381/38/211-570 ose +377/44/830-041

[email protected] , [email protected]

http://www.masht-gov.net),

Rozalba Merdani, MAS e Shqipërisë  (+35542223024)