Jeta në Zvicër

Prezantohet iniciativa për ndalimin e “burka”-s

Në veçanti iniciativa i referohet mbulesës së fytyrës që përdoret nga gratë myslimane. Veç kësaj kërkohet edhe ndalimi i mbulimit të fytyrës me rastin e protestave dhe ndeshjeve sportive

Është prezantuar të martën teksti i iniciativës popullore për ndalimin e mbulimit dhe maskimit të njerëzve, e njohur me mirë si iniciativa për ndalimin e “burka”-s, ferexhesë së grave myslimane. Prezantimin e ka bërë komiteti i ashtuquajtur i “Egerkingenit” i cili e ka marrë këtë emër në bazë të iniciuesit kryesor, Martin Wobman deputet nacional i SVP-së që është nga lokaliteti me këtë emër.

Teksti ne fjalë kërkon që në gjithë Zvicrën të ndalohet mbulimi i fytyrës dhe ne veçanti iniciativa i referohet mbulesës së fytyrës që përdoret nga gratë myslimane. Veç kësaj mbulese kërkohet edhe ndalimi i mbulimit të fytyrës me rastin e protestimit dhe në ndeshjet sportive.

Për të qenë iniciativa e gatshme për fillimin e grumbullimit të nënshkrimeve, ajo duhet që fillimisht të rishikohet nga Kancelaria Federale, kompetente për këtë veprim.

Ngjashëm me këtë iniciativë, edhe ajo për ndalimin e minareve nga viti 2009 është iniciuar nga i njëjti “komitet i Egerkingenit” në të cilin bëjnë pjesë para së gjithash politikanë nga partia SVP.

Dy vite më parë në kantonin italishtfolës të Tesinës populli e 65% e kishte votuar një ndalesë për burkat. Ndalesa hyn në fuqi vitin e ardhshëm. Nisur nga fakti se ky kanton jeton në masë të madhe nga turizmi, ekonomistët dhe përgjegjësit e turizmit kanë shprehur shqetësimin e tyre: një pjesë e mirë e turistëve këtu vijnë nga vendet arabe, vende këto në të cilat praktikohet më shumë vendosja e burkave.