Shqipëria

Prindërit e Ritvan Zykajt humbën ndjenjat në Polici

Një herë i binte të fikët babait e menjëherë pas tij së ëmës. Kjo situatë ka vazhduar për orë të tëra, derisa kanë dalë nga Drejtoria paraditen e së shtunës

Gjendja psikologjike e prindërve të autorit të masakrës me tetë të vrarë, Sadikut dhe Linditës, ka qenë mjaft e rënduar në kohën që mbaheshin në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, para se i biri të arrestohej.

Madje, me kalimin e orëve ata kanë filluar të shfaqnin edhe probleme shëndetësore.

Mësohet se ata kanë humbur vazhdimisht ndjenjat gjatë kohës që jepnin deklarimet para oficerëve të Policisë, shkruan “Panorama”.

Një herë i binte të fikët babait e menjëherë pas tij së ëmës. Kjo situatë ka vazhduar për orë të tëra, derisa kanë dalë nga Drejtoria paraditen e së shtunës, përcjell albinfo.ch.

Pasi kanë kaluar natën në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, ku u morën në pyetje për disa orë nga oficerët e Krimeve të Rënda, familjarët e Ritvan Zykajt nuk janë kthyer më në banesën e tyre.

Mëngjesin e së shtunës, prindërit e tij, Sadiku dhe Lindita, si dhe vëllai më i madh, kanë lënë mjediset e Drejtorisë së Policisë, por mësohet se nuk janë kthyer në Selenicë.

Babai i autorit, duke dënuar ashpër veprimin e të birit, është shprehur para policëve se nuk ka guxim që të shkojë, qoftë edhe për të marrë pjesë në varrimin e kushërinjve e xhaxhait të tij.

Burimet thanë se prindërit, vëllai dhe motra e autorit, përkohësisht janë zhvendosur te disa të afërm të Lindita Zykajt, ku do të qëndrojnë pa ndonjë afat të qartë.

Ndërsa gjyshi i Ritvanit ka qenë gjatë gjithë kohës në fshat, duke pritur të afërmit që vinin për ngushëllim.