Zhvillim

“Prishtina” dhe “Rugova” zbarkojnë në Zvicër

Nga 24 prilli 2017 mbi 500 dyqane të “Coop”-it i kanë pasuruar raftet e tyre me "produkte të Ballkanit" me dy pije të reja të prodhuara në Kosovë, birra e famshme “Prishtina” dhe uji i shkëlqyer “Rugova”

Falë sipërmarrësit të ri, Bardhosh Gërvalla, kompania e njohur “Rolf Hugli S.A.”, kompani zvicerane e specializuar në importimin e ushqimit për më shumë se 65 vjet, u bë në gjendje të hyjnë në tregun zviceran me dy prodhime Made in Kosova. Rrezatimi në gjithë rrjetin e shpërndarjes së Zvicrës me produkte kosovare, ky është qëllimi kryesor i promotorëve të këtij projekti importues.

Çfarë më ka çuditur vazhdimisht, tregon Bardhoshi, është mungesa e madhe e prodhimeve kosovare në dyqanet e Zvicrës. Jo më pak se 250.000 shqiptarë jetojnë në Zvicër dhe prapëseprapë shumë pak prodhime kosovare janë në dispozicion të konsumatorëve. Unë gjithmonë e kam pasur bindjen se në rastin më të vogël që do të më jepet, do të mundohem të kontribuoj për të ndryshuar disi këtë realitet. Bardhoshi shpjegon se si kompania “Rolf Hugli”, e cila është një pioniere në importin e mallrave ushqimore në Zvicër, është treguar e impresionuar me cilësinë e lartë të produkteve të Kosovës, si dhe me potencialin e pashfrytëzuar të këtij tregu në Zvicër. Pas disa vjetësh bashkëpunimi ne kishim për qëllim të arrimë t’u përgjigjemi standardeve cilësore për prodhimet ushqimore, veçanërisht në lidhje me prodhimin, përpunimin, trajtimin, ruajtjen, transportin dhe etiketimin. Jam shumë i lumtur që kam arritur të kontribuoj që këto dy produkte të njohura të Kosovës, siç janë birra “Prishtina” dhe uji “Rugova”, të jenë, më në fund, të pranishme në tezgat e tregut zviceran. Nuk e fsheh faktin që, para së gjithash, për mua ishte dashuria për vendin tim që shpjegon gjithë këtë motivim dhe përkushtim që kam.

Birra “Prishtina”, më shumë se një premtim, një udhëtim

Është një ndërmarrje e re kosovare, me mbi 1850 m2 sipërfaqe, e cila është nisur nga viti 2014 në prodhimin e një birre cilësore, e cila mori si eponim kryeqytetin e vendit, Prishtina. Burimi, aroma, ngjyra, karakteri, shkuma dhe flluskat, një gamë e tërë ndjesish të panjohura nga indet e shijes, kjo është pra ajo që garanton birra “Prishtina”. Për t’i bërë gjërat edhe më të thukëta, kjo birrë është veçanërisht interesante, sepse ajo gërsheton në mënyrë harmonike kulturën, gjeografinë dhe traditën. Shijimi i birrës “Prishtina” është më shumë se një premtim, është një udhëtim përmes kulturës shqiptare. Kjo është ajo që frymëzoi prekursorët e këtij projekti importi.

 “Rugova”, një ujë që thith pasurinë e vet përrallore në thellësitë e bjeshkëve

Në perëndim të kryeqytetit të Kosovës, në Pejë, gjendën dy grykat e famshme të Rugovës, në thellësi të bjeshkës, një luginë që alpinistët e përshkruajnë si një strehë hyjnore. Ky “kanion i pjerrët me një thellësi deri në 1 km është i njohur për faktin se është më i thelli jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë Evropën”, thotë doracaku frankofon i njohur “Le petit futé”. Në të vërtetë, në 2000 metra lartësi ju mund të shikoni spektaklin madhështor të ujëvarës prej 25 metrash që shpërthen nga shkëmbi. Dhe, është aty vendi ku qëndron fabrika e ujit të shkëlqyeshëm “Rugova”. E themeluar në vitin 2006, kjo fabrikë u vendos në pjesën e sipërme të grykës legjendare dhe ofron një ujë me certifikim ndërkombëtar dhe garanton një cilësi të lartë, e cila është në harmoni me standardet botërore.

Pra, që nga mesi i prillit 2017 “Coop” ju fton të zbuloni këtë krahinë të botës përmes pijeve freskuese birra “Prishtina” dhe uji “Rugova”, e këtë vetëm për kënaqësinë tuaj shpirtërore.

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/prishtina-dhe-rugova-zbarkojne-ne-zvicer/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.