Futboll

Prishtina eliminon Europën

Nënkampionia e Kosovës është kualifikuar për fazën e ardhshme të Ligës së Evropës

Prishtina ka mundur Europën e Gjibraltarit me rezultat të thellë 5:0, dhe është kualifikuar në fazën e ardhshme të Ligës së Evropës, pasi ndeshja e parë kishte përfunduar 1:1, shkruan albinfo.ch.

Tani Prishtina për herë të parë do të luajë në kualifikimet e Ligës së Evropës, pasi kjo fazë ishte para-kualifikuese.

Prishtina e filloi furishëm dhe që në minutën e nëntë, Armend Dallku shënon nga penalltia. Goli i dytë nuk vonoi shumë, pasi Mankenda me një gjuajtje të fuqishme shënon për 2:0, ndodhi kjo në minutën e 13-të.

Prishtina po dominonte në çdo aspekt, derisa pjesën e parë e përfundon me tre gola epërsi, pasi sërish ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Dallku shënoi nga pika e bardhë. Futbollisti nga Vushtrria realizoi në minutën e 35-të.

Bardhekaltrit nuk u ndalën as në pjesën e dytë, derisa ngriti epërsinë në 4:0, kësaj radhe shënues ishte Ahmed Januzi. Por, Prishtina nuk u ndal dhe në minutën e 85-të, Mërgim Pevqeli shënon për 5:0.