Lajme

Prishtina falënderon Zvicrën për bashkëpunimin e frytshme me DEMOS-in

Administrata e Komunës së Prishtinës ka falënderuar shtetin helvetik për ndihmën e madhe që ka dhënë në përmirësimin e kushteve në kryeqytet. Sipas komunarëve, SDC ka ndihmuar një varg projektesh në Prishtinë

Qeveria e Zvicrës nëpërmjet Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) ka zhvilluar një varg projektesh në Komunën e Prishtinës, duke ngritur kualitetin e jetës së qytetarëve në kryeqytet. Për këtë ndihmë, administrata e kësaj Komune ka falënderuar SDC-në, si dhe kanë njoftuar stafin e kësaj agjencie helvetike, për realizimin me përpikëri të të gjitha projekteve të përbashkëta.

Këto deklarata kanë dalë pas një takimi që ka zhvilluar nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu me delegacionin e SDC-së, të përbërë nga Adrian Maitre, zëvendësshef për bashkëpunim me Evropën lindore; Georgette Bruchez, udhëheqëse e divizionit për Ballkanin perëndimor; Patrick Etienne, drejtor i SCO në Kosovë; Saranda Cana, nga SCO; Norbert Pijls, menaxher i projekteve në DEMOS; si dhe Ertan Munoglu, zëvendës menaxher në DEMOS.

Sipas një komunikate lëshuar nga komuna, në këtë takim është diskutuar për arritjet e Komunës së Prishtinës në realizimin e projekteve që shërbejnë për përmirësimin dhe lehtësimin e jetesës së qytetarëve, përkundër sfidave të mëdha që ka pasur përpara.

“Komuna e Prishtinës deri më tani ka realizuar një varg projektesh në bashkëpunim me DEMOS-in, si rregullimi i oborrit të shkollës “Ismail Qemajli”, këndi i librave, këndi i luleve, parku “1 Tetori”, softueri për prokurim, financa dhe tatim në pronë, e të ngjashme”, thuhet në njoftim.

Përfaqësuesit zviceranë përgjatë këtij takimi thuhet se e kanë përgëzuan Komunën e Prishtinës për mënyrën e qeverisjes, duke theksuar se tashmë kjo Komunë është bërë shembull i mirë edhe për komuna të tjera jashtë territorit të Kosovës.