Sport

Prishtina përgatitet për sfidën ndaj zviceraneve

Gjatë fundjavës, KH Prishtina do të ndeshet me skuadrën zvicerane, Bruehl në Kupën e EHF-it në hendboll

Kampionia e Kosovës në hendboll (femrat), Prishtina po zhvillon përgatitjet e fundit para ndeshjeve ndërkombëtare. Në fundjavë, Prishtina përballet me skuadrën Bruehl nga Zvicra, në kuadër të raundit të parë të Kupës së EHF-së (EHF Cup), shkruan faqja zyrtare e Federatës së Hendbollit e Kosovës.

Me marrëveshje të klubeve, të dy ndeshjet luhen në Prishtinë, përkatësisht në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë. Ndeshja e parë luhet të shtunën nga ora 17:00, ndërsa e dyta të dielën nga ora 15:00, përcjell albinfo.ch.

Bruehli zviceran në gara evropiane paraqitet rregullisht të paktën prej vitit 1999. Përvojën ndërkombëtare e ka edhe Prishtina, që debutoi në Evropë në edicionin 2007\08. Në tetë pjesëmarrje, KHF Prishtina ia ka dalur dy herë të kaloi nga një rreth garash.

Hendbollistet e Prishtinës kanë nisur me kohë përgatitjet për ndeshjet evropiane. Trajneri i Prishtinës, Rubin Kuzmanoski thotë se janë përgatitur maksimalisht për këto dy ndeshje.

Për ndeshjet e Kupës së EHF-së, Kuzmanoski thotë se zviceranet janë favorite pa asnjë dyshim. “Ekipi zviceran është solid, në radhët e veta ka gjashtë lojtare ndërkombëtare. Disa prej tyre janë të natyralizuara dhe luajnë rolin kryesor edhe në përfaqësuesen e Zvicrës. Shorti ka vendosur kështu, nuk kemi pasur fat që të kemi përballë ndonjë kundërshtar më të lehtë. Na vjen një ekip gjigant që luan hendboll të shpejtë dhe modern”, vlerëson trajneri i Prishtinës.