Kosova

Procesi gjyqësor ndaj Azem Sylës kthehet në fillim

Pas dy vjetësh, procesi gjyqësor ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla, si dhe 38 të akuzuarve të tjerë për krim të organizuar në rastin “Toka” do të përsëritet.

Largimi i gjyqtares vendore, Nora Bllaca, nga trupi gjykues i përbërë me shumicë të gjyqtarëve të EULEX-it, ka bërë që e tërë procedura e hetimit të veçantë, ku janë dëgjuar dëshmitarët e mbrojtur, si dhe procesi i rregullt gjyqësor i filluar qe afro një vit, të përsëriten, përcjell albinfo.ch.

Bllaca është larguar pasi që është avancuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në Gjykatë të Apelit.

Javën e kaluar, EULEX-i ka njoftuar se i është drejtuar me një kërkesë Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që t’i mundësohet gjyqtares Bllaca, që të kthehet në trup gjykues, pasi që “në të kundërtën do të përsëriten të gjitha procedurat dhe ka rrezik që këtë gjykim nuk do të mund ta gjykojë EULEX-i deri në fund, meqë mandati i përfundon në qershor”.

EULEX-i është tërhequr vetë nga kjo kërkesë. Zëdhënësja e EULEX-it, Donika Berisha-Rizaj, ka thënë se janë tërhequr për shkak të së drejtës për gjykim të drejtë, por pa sqaruar më tutje rastin.