Integrimi

Kraki: “Nuk u sulmua vetëm Parisi por i gjithë qytetërimi”

Në lidhje me valën e terrorit që ndodhi mbrëmë në Paris dhe që tronditi gjithë botën e qytetëruar, albinfo.ch i mori një deklaratë studiuesit dhe profesorit universitar të shkencave politike në Paris, Nezir Kraki. Ai gjatë kohës kur ndodhi krimi në qytetin ku jeton prej vitesh, ka qenë, si zakonisht, në Paris.

“Unë deri pak më heret isha ende në Paris”, thotë Kraki për albinfo.ch, pasi ka kaluar një natë të rëndë në qytetin e dritave. Pra, pak më heret e lëshova Parisin për të shkuar në Gjermani dhe kalova andej afër lagjes ku ka ndodhur terrori. Njeri i gjallë s’dukej rrugëve. Aty- këtu ndonje makinë apo taxi”, e përshkruan atmosferën e paradites së sotme në Paris, Nezir Kraki.

Ndërsa mbrëmë ai ka shpëtuar nga kontakti më i afert me atë çfarë ndodhi në Paris nga fakti se qe kthyer më heret se zakonisht në shtëpi, me mendimin që të dilte sërish, më vonë. “U ktheva në shtëpi pak më heret dhe e kisha në plan të dal rreth orës 23. Ndërkohë krisi dhe nuk dola”, thotë profesori.

“Vendi ku banoj unë është nga ana e majtë e lumit Sena (Rive gauche) ndërsa sulmet ndodhën në anën e djathtë (Rive droite). Me thënë të drejtën, nuk u dëgjua ndonjë gjë atje ku jam unë. Por e kam një shoqe që banon afër vendit ku ndodhi dhe ajo më njoftoi e para”.

Ndërsa i pyetur lidhur me gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur në Francë, ai flet me përshtypjet nga kalimi i kufirit Francë-Gjermani. “Kontrolli në kufi ishte sikur pa Shengen. Që domethënë kishte kontroll, gjë që zakonisht nuk ndodhë prej vitesh në kufirin Francë- Gjermani”.

Në një postim të lëshuar mbrëmë në facebook, si reagim të parë rreth tragjedisë, Nezir Kraki veç tejrash ka shkruar: “Sonte në Paris nuk u sulmua veç Franca ose Parisi, u sulmua thjesht njerëzimi dhe civilizimi i përparuar.

Terroristët barbarë në ligësinë e tyre nuk arrijnë t’i afrohen asnjë ushtrie, asnjë shteti, asnjë uniforme, se të luftës nuk janë.

Këto bisha në dëshpërim, iu afrohen e i sulmojnë ata që s’kanë mbrojtje, që s’kanë uniformë e as armë. I vrasin gazetarët, artistët, shikuesit, kalimtarët, femijët, gratë – të gjithë ata që jetës së tyre i kanë dhënë një kuptim dhe kanë punuar me djersë e mund për ta blerë tiketën e mallkuar të koncertit, të lojës apo për ta paguar pijën në terrasen e terrorit, pas një jave të lodhshme por me kuptim…”