Shqipëria

Projekti “Hapësira zero” përfaqëson Tiranën në Bienalen e Venecias

Shqipëria do të përfaqësohet me projektin “Hapësira zero”, i cili ka zgjedhur portat e vjetra të marra nga shtëpitë në kryeqytet, si element për të shpjeguar Tiranën

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka thënë se më 26 maj kryeqyteti i Shqipërisë hap dyert e tij plot ngjyra dhe histori në Bienalen e 16-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia.

Shqipëria do të përfaqësohet me projektin “Hapësira zero”, i cili ka zgjedhur portat e vjetra të marra nga shtëpitë në kryeqytet, si element për të shpjeguar Tiranën, ku bashkëjetojnë e vjetra me modernen.

“Me çelësin e dyerve do të takohemi në Venecia, është një fabul fantastike. Historia jonë duhet treguar, ndaj jemi të lumtur që po shkojmë ta tregojmë falë këtij grupi historik, i cili do na bëjë shumë krenar”, ka deklaruar Veliaj.

Ndërsa ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, deklaroi se projekti që do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë bienale sjell jo vetëm një ide, por mbi të gjitha qytetarin. Ndërsa Kosova prezantohet në këtë bienale me projektin e Eliza Hoxhës që flet për Prishtinën e viteve të 90-ta.