Kosova

Prokurori që po shqyrtonte listat e veteranëve të UÇK-së jep dorëheqje

Elez Blakaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës. Ai ishte prokurori i cili po hetonte listat e veteranëve të UÇK-së.

Dorëheqjen e Blakajt ka komentuar Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi. Sipas tij, prokuroria nuk ka informacione se Blakaj ishte i kërcënuar gjatë hetimit të dyshimeve për keqpërdorim në listat e veteranëve të luftës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në lidhje me dorëheqjen e Blakajt u deklarua edhe Presidenti Thaçi, shkruan Albinfo.ch. Ai përmes një statusi në Facebook ka reaguar duke thënë se, kërcënimet ndaj këtij prokurori janë të papranueshme.

“Dënoj ashpër kërcënimet ndaj Prokurorit të Prokurisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Elez Blakaj, në ushtrimin e funksionit të tij. Sundimi i Drejtësisë është themeli i një shteti dhe shoqëri demokratike dhe një ndër hallkat më të rëndësishme në forcimin e perspektivës evropiane të vendit tonë “, shkroi Thaçi.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie përmes një shkrimi në Twitter ka reaguar ndaj heqjes dorë nga Prokurori Special, Elez Blakaj.

“Një ditë e trishtë për sundimin e ligjit në Kosovë kur një prokuror ndjen se duhet të japë dorëheqje për shkak të kërcënimeve dhe mungesës së mbështetjes. Është veçanërisht shqetësuese kur po punonte me një rast të mashtrimit masiv me pension, “shkroi ai.

Për dorëheqjen e Blakajt, ka reaguar edhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, shkruan Albinfo.ch.