Kosova

Prokuroria kërkon dënimin e aktivistëve të VV-së të dyshuar për terrorizëm

Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi akuzohen për terrorizëm që ka të bëjë me sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës

 

Prokuroria ka kërkuar dënimin e aktivistëve të Vetëvendosjes për terrorizëm.

Në fjalën përfundimtare para gjykatës, prokurori Abdurrahim Islami ka prezantuar fotografi dhe dëshmi tjera që ka thënë se janë mbledhur nga Policia e Prokuroria.

Shumica e tyre ishin prezantuar nga Policia vetëm disa ditë pas arrestimit të 5 aktivistëve të Vetëvendosjes. Ai ka shtuar se nuk ka asnjë pikë apo presje që e bën aktakuzën politike, ashtu siç kanë deklaruar të akuzuarit. Kjo do të jetë seanca e fundit para se të shpallet vendimi i Gjykatës.

Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi akuzohen për terrorizëm që ka të bëjë me sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës. Në pritje të marrjes në pyetje për rastin, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren vdiq vitin e kaluar Astrit Dehari.