E-Diaspora

Promovohet libri i autores angleze për Kosovën

Në këtë libër, autorja Mary Motesi evokon kohën kur ka qenë e angazhuar si lektore e gjuhës angleze në Universitetin e Kosovës

Në Londër, më 11 tetor 2017, u mbajt promovimi i librit “Kosova – preludi i luftës 1966-1999” i organizuar nga shoqata “Qendra Shqiptare”, në lokalin “Queen’s Arms”. Mbrëmja e këndshme kaloi në praninë e autores, Mary Motesi, përkthyesit Agim Morina dhe miqve e dashamirëve të librit. 

Në këtë libër, autorja evokon kohën kur ka qenë e angazhuar si lektore e gjuhës angleze në Universitetin e Kosovës, duke përshkruar gjendjen e shoqërisë së atëhershme në Kosovë dhe zhvillimet historike që kanë shënuar atë periudhë.

Kryetari i shoqatës, z. Sami Islami bëri hapjen e mbrëmjes dhe përshëndeti të pranishmit.

Më tutje, foli autorja e librit, z. Mary Motesi, e cila foli për përshtypjet e saj gjatë promovimit të librit në Kosovë, prej nga kishte ardhur një ditë më parë. Ajo tha se Prishtina ishte rritur e ndryshuar aq shumë sa nuk mund të orientohej më aty, ndërsa anglishtja e gjithkujt në kryeqytetin e Kosovës ishte e shkëlqyeshme.

Motesi foli edhe në shqip, megjithëse për shumë vite nuk kishte qenë në Kosovë. Tregonte se në Kosovë kur shtrohej pyetja “A jeni mërzitë?”, përgjegjja ishte “Mazallah! Jo hiç!”

Përkthyesi, Agim Morina, tregoi për gjithë procesin e punës që nga ideja e deri te botimi i librit. Kaloi me humor të hollë nëpër kapitujt e librit duke përshkruar kështu përmbajtjen e librit.

Znj. Teuta Skenderi, e cila udhëhoqi mbrëmjen promovuese bashkë me z. Abedin Bajraktari recituan disa pjesë të zgjedhura nga libri, e para në anglishte dhe i dyti në shqip. Qerim Rashiti, këndoi disa këngë folklorike me sharki.

Ndërsa në fund publiku i pranishëm i shtroi disa pyetje autores dhe përkthyesit. Përkthyesi, z. Morina, shpjegoi se në këtë përkthim kishte futur në përdorim paskajoren e mirëfilltë, duke përdorur pjesoren e shkurtër “me punu”, për të mundësuar praninë e paskajores pa shkaktuar ndonjë problem në sistemin foljor të shqipes. Kjo trajtë, shpjegoi ai, paraqet një trajtë neutrale kundrejt trajtës së pjesores së toskërishtes “punuar” dhe asaj të gegërishtes “punue”.