Maqedonia

Protesta të dhunshme në Shkup kundër ndryshimit të emrit

Protesta kundër marrëveshjes për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë u përshkallëzua të dielën mbrëma në dhunë mes policisë dhe një grupi të protestuesve, të cilët tentuan të thyejnë kordonin policor para Kuvendit të Maqedonisë.

Forcat e ndërhyrjes së shpejtë përdorën gazin lotsjellës dhe bomba paralizuese për t’i shpërndarë demonstruesit. Raporton “Radio Evropa e Lirë”.

Nuk ka informacione për të plagosur, ndërkohë që objekti i Kuvendit ishte blinduar nga forca të shumta policore, përcjell albinfo.ch.

Protestuesit, në numër të vogël, gjatë tërë ditës kanë qëndruar para Kuvendit, ku kanë mbajtur të bllokuar rrugën, në shenjë pakënaqësie ndaj marrëveshjes së arritur.

Ata e kanë cilësuar atë si “kapitulluese për popullin maqedonas”.

Me marrëveshjen e nënshkruar të dielën midis ministrave të Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Maqedonia do të njihet si “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Protesta u rrit në numër rreth orës 21:00 kur dhe kaloi në dhunë me policinë.

Gjatë ditës, në qytetin e Manastirit është mbajtur edhe një tjetër protestë nga partia e opozitës, VMRO DPMNE.

Protesta janë paralajmëruar edhe për ditët në vazhdim.