Integrimi

Prozatore, poete, piktore: Barbara Burbuqe Heim

Është një artiste jo vetëm e prozës artistike, por edhe e artit pamor dhe e vargut. Shkrimet e Barbara Burbuqe Heim kanë në fokus problemet sociale

 

Autorja shqiptaro-gjermane Barbara Burbuqe Heim jeton në Gjermani. Është një artiste jo vetëm e prozës artistike, por edhe e artit pamor dhe e vargut. Shkrimet e saj kanë në fokus problemet sociale. Në romanin e saj  “Lotët e Trëndafiles”, ndjehen plagët e dhembjes së atyre fëmijëve që u rritën në Kosovë, prindërit e të cilëve punonin në diasporë për të mbajtur gjallë familjarët. Si u rritën ata fëmijë, sa dhembje patën, sa mall, sa u kushtuan kohë atyre miq e familjarë, për të gjitha këto e ngriti zërin shkrimtarja Barbara Burbuqe Heim, duke  sjellë një frymë të re në romanin shqiptar.

Trëndafilja është vajzë shqiptare e lindur në Kosovë. Në kohën e paraluftës, prindërit e saj mërgojnë ndërsa Trëndafila me motra e vëllezër rritet në familjen e babait, në Kosovë. Duke u rritur, ajo ka nevojë për zërin dhe këshillën e prindit. Për përkujdesjen dhe përkëdheljen e tyre. Por për botën e fëmijëve pa prindër, të tjerët nuk gjejnë kuptim. Familja e babait e marton pa dëshirën e saj për një djalë që rridhte nga një familje e pasur. Me një burrë alkoolik Trëndafilja, edhe pse bëhet nënë e një vajze të bukur, nuk ka si e shijon lumturinë. Në njërën anë mbretëronte barbaria e pushtuesit serb e në anën tjetër dhuna e bashkëshortit. Këto të dyja po e mbytnin rininë e saj me lot.

Drama e rëndë jetësore e Trëndafiles

Nga frika e represionit serb, bashkëshorti i saj vendos të ikë në azil me Trëndafilen dhe vajzën. Pas shumë peripecive, ata arrijnë të vendosen si azilkërkues në Gjermani. Shumë azilkërkues atëbotë nga paratë e azilit kanë ndarë mjete edhe për në shtëpi, ndërsa bashkëshortit të Trëndafiles i dërgonin nga Kosova sepse paratë  nuk i dilnin për qejfet e tij.

Drama e madhe e dhunës do të vërehej nga fqinjët gjermanë… Trëndafilja vendos të ndahet… Ai i merr vajzën dhe kthehet në Kosovë. Trëndafilja do ta shohë vajzën e saj pas disa viteve të masakruar nga pushtuesit serb në një fotografi të një gazete shqiptare në Gjermani. Ajo përfundon në psikiatri por ngrihet sërish në këmbë me vullnetin për jetë, me ndihmën morale të miqve shqiptarë e gjermanë. Kështu, ajo u bë heroinë, ajo i mundi të gjitha, por në shpirt e kishte të hapur një plagë me dhembje të fortë: Sa Trëndafile i ka kjo botë…?

Autorja, Barbara Burbuqe Heim diplomoi në Zvicër, në Letërsinë për fëmijë. Punon si ndërmjetësuese kulture dhe përkthyese. Me sukseset e saj çdo ditë e më shumë po bëhet një ambasadore e kulturës dhe letërsisë shqiptare. Me pasionin e saj prej artisteje ajo angazhohet për më shumë drejtësi, apelon për humanizëm, barazi gjinore, dhe dashuri. Thumbon psikologjinë prapanike, dhe i jep krah kohës së re. E tërë veprimtaria e saj reflekton për mirësi.

Një prozë që thyen tabu

E veçanta e metaforës së saj është se ajo e vë theksin fuqishëm te liritë themelore. Si autore, Barbara zbulon sekrete në mënyrë të detajuar, thyen tabu, dhe jep ngjyra shprese që lexuesit i mbeten si një amulet besimi për vete. Gjuha e saj letrare është sa metaforike, po aq shumëngjyrëshe. Veprat e saj sjellin një emocion të veçantë . Ajo i ofron lexuesit një rrugëtim nëpër kohë.

“Ne kemi shumë vlera kulturore. Civilizimi ynë i ka rrënjët në lashtësi, por një angazhim sa më i madh për vlerat tona parimore na jep gjithnjë e më shumë shkëlqim nëpër mote, sepse ne jemi një popull i lashtë dhe shumë i kemi dhënë kësaj bote”, shprehet për albinfo.ch Barbara Burbuqe Heim.

  • E rritur mes dy kulturave

Në shkrimet e saj theksohen me mjeshtëri të hollë të vërtetat e jetës “sepse jeta shpesh na ngarkon si lumin në stuhi”, shprehet autorja, e cila lufton për drejtësi me letërsi. Barbara Burbuqe Heim, një autore me imagjinatë të bujshme, e rritur mes dy kulturave, synon t`i ofrojë lexuesit më të mirën përmes shprehjes dhe ngjyrës së bukur.

Pas Trëndafiles dhe lotëve të saj, lexuesit e saj së shpejti do të befasohen me romanin e radhës, i cili po ashtu trajton një temë të rëndësishme sociale, ku shprehja artistike do të jetë si gjithnjë avangarde. Krijimtaria e saj është vlerësuar shumë lart edhe nga autorë zviceranë e gjermanë, ndërsa ne mund të themi se Barbara Burbuqe Heim është një vlerë shoqërore në letërsinë, në artin tonë.

Udhëtim nëpër kohë

E veçanta e metaforës së saj është se ajo e vë theksin fuqishëm te liritë themelore. Si autore, Barbara zbulon sekrete në mënyrë të detajuar, thyen tabu, dhe jep ngjyra shprese që lexuesit i mbeten si një amulet besimi për vete. Gjuha e saj letrare është sa metaforike, po aq shumëngjyrëshe. Veprat e saj sjellin një emocion të veçantë . Ajo i ofron lexuesit një rrugëtim nëpër kohë.