Lajme

Pse s`vjen n`Prizren?!

“Kush pi një herë ujin e Shatërvanit, nuk largohet kurrë më nga Prizreni”. Kështu thonë legjendat që enden rrugëve të ngushta të këtij qyteti…
Njëmend, disa që erdhën dhe shuan etjen këtu, mbeten gjithnjë të lidhur me Prizrenin, disa të tjerë shkuan e nuk u kthyen më kurrë. Askush nuk e di pse, por një gjë e dinë të gjithë, kurrë nuk është vonë për tu kthyer, një muzg të flladshëm vere prizrenas…

Ngado që të vish, kur këmbët do të t’zënë pak në kalldrëmin e vjetër që shtron rrugicat e vjetra dhe shikimet të kacavirren çardakëve të shtëpive qytetëse, je në Prizren. Fundja, ky qytet është udhërrëfyesi i vetes së tij. Mjafton ta ndjekësh rrjedhën e Lumbardhit, të kapërcesh herë-herë urat e shumta mbi të dhe përpara të dalin rrudhat e hijshme të qytetit jo fort të zhurmshëm. Padyshim, më e njohura mes urave është Ura e Gurit, e cila të nxjerr në zemër të qytetit, por secila nga to e ka një histori më vete. Së fundmi, sikur Parisi e shumë qytete të tjera evropianen, Prizreni ka pagëzuar Urën e Kaltër të Dashurisë. Të dashuruarit vijnë çdo ditë dhe mbyllin nga një dry në hekurat skaj urës, me emrat a inicialet e tyre gdhendur dashurisht. Mbyllin dryrin dhe hedhin çelësin në lumë. (Jo të gjitha dashuritë zgjasin përjetësisht, ndaj është mirë ta mbash një çelës rezervë, për çdo rast…)

Monumentet historike që ende rrinë në këmbë, dëshmojnë heshtur për historinë e këtij vendi. Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në gjirin e të cilit rri Shtëpia e Lidhjes dhe muzeu, të përkujtojnë mbledhjen ndoshta më të madhe mbarëshqiptare në fund të shekullit XIX, me qëllim mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi. Prej aty, rruga të çon drejt hamamit të Gazi Mehmet Pashës, Kullës së Sahatit dhe Muzeut Etnologjik, që pa mëdyshje të kthejnë mbrapa në kohë me shumë nostalgji e aspak mërzi.

Rruga për në kala

Në kodrën rrëzë Lumbardhit, duken muret e kalasë së vjetër, që duket si roje guri e këtij qyteti. Por për ta ngjitur rrugën e ngushtë e thikë përpjetë që të çon në kala, e udhës është të ulesh e të drekosh në njërin prej restoranteve që shërbejnë ushqim tradicional, duke filluar nga dhalla (ajrani) e deri tek tullumbat (ëmbëlsirë) jo pak të ëmbël. Era e qofteve dhe pjatave tjera të ndjell ëndshëm nga rruga e deri tek ndonjëra tavolinë buzë lumit. Një gjë është e sigurt, në Prizren askush nuk ka mbetur i uritur a i zhgënjyer nga ushqimi. Është koha për t’ia mësyrë kalasë, por më parë, siç e do zakoni i këtij vendi, pse mos të ulesh në çajtoren e vjetër përballë xhamisë së Sinan Pashës për një çaj tradicional, shërbyer me sheqer, limon e buzëqeshje.

Rruga e rrëpirë e Kalasë rreth me drunj të shkurtër e të veshur gjelbër në verë të nxjerr dalë-ngadalë nga pëshpëritjet e njerëzve të qytetit. E kur të kesh hyrë brenda dhe të jesh ngjitur mbi njërin nga muret mbrojtëse të kalasë, ndodh ajo mrekullia e herës së parë; të del përpara i tërë qyteti si një sofër e shtruar me gjithë të mirat, pa fshehur asgjë e pa mashtruar aspak. I mbushur frymë, ti ulesh këmbëkryq mbi gurët e nxehur nga dielli, dhe sheh se si pullazet mbuluar me tjegulla po bëhen gjithnjë e më të kuqërremta. Muzgu bie ngadalë dhe dielli ngjyhet mbi shtëpitë e fundit si lëmsh i hedhur me nge në horizont…

Prizreni, qytet i kulturës dhe artit

Që nga viti 2000 e këndej, në Prizren ka pasur një ringjallje të dukshme të jetës kulturore, aq sa qyteti mund të quhet pa drojë “qytet i festivaleve”. Festivalet e shumta që ndodhin kryesisht gjatë verës, sjellin në Prizren njerëz nga Kosova, rajoni e bota. Më i njohuri ndër ta është Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest. Këtë vit, edicioni i XIV i DokuFest-it i hap dyert për të gjithë dashamirët e filmit në muajin gusht (8-16 gusht)
Filmat e shfaqur në kinematë krejt të veçanta si kinemaja mbi lum, kino Lumbardhi e të tjera, duken më bukur se askund tjetër.

Ndër festivalet tjera, nuk duhen lënë pa përmendur edhe festivali i muzikës NgomFest (30 korrik-2gusht 2015), festivali i lundrimit me goma mbi Lumbardh BunarFest, etj.

Këto dhe ngjarjet e tjera kulturore e zbusin vapën e ditës në Prizren dhe i japin gjallëri netëve të verës deri në orët e para të mëngjesit.

Bar-kafetë e numërta i japin shije të veçantë buzëmbrëmjeve në qytet, e prej atyre që vizitohen më së shumti janë edhe Kafiçi, Barcode-i, Çarshia, etj.

Gjithçka mund të ndodhë në Prizren në verë, por nuk ka kurrfarë mundësie të mërzitesh…

Një qytet për të gjithë

I njohur ndryshe si qyteti i mbi 40 minareve, (ku ndër më të njohurat janë xhamia e Bajrakut, xhamia e Sinan Pashës, xhamia e Emin Pashës, ajo e Kuklibegut etj.), qyteti mban në gjirin e tij edhe kishën katolike të Zojës Ndihmëtare, kishën ortodokse “Shën Gjergji”, tempullin e vjetër dardan të njohur me dy emra “Kisha e Shën Premtes” dhe “Xhamia e së Premtes” (pasi që në periudha të ndryshme ka shërbyer si kishë ortodokse por edhe si xhami), teqe dhe objekte të tjera të kultit. Edhe bashkëjetesa mes qytetarëve të Prizrenit është në harmoni të përsosur, njësoj sikur hijet e minareve që preken me hijet e kambanareve.

Qytetarët e këtij qyteti, qofshin ata të besimeve apo nacionaliteteve të ndryshme, jetojnë në paqe me njëri-tjetrin dhe përditë pinë kafet e mëngjesit në kafenetë e vogla prizrenase. Kësisoj, nuk ka njeri që të vijë e mos ta ndjejë veten rehat në këtë nënqiell të mësuar me kultura e gjuhë të ndryshme…

“Kush pi një herë ujin e Shatërvanit, nuk largohet kurrë më nga Prizreni”. Kështu thonë legjendat që enden rrugëve të ngushta të këtij qyteti…
Njëmend, disa që erdhën dhe shuan etjen këtu, mbeten gjithnjë të lidhur me Prizrenin, disa të tjerë shkuan e nuk u kthyen më kurrë. Askush nuk e di pse, por një gjë e dinë të gjithë, kurrë nuk është vonë për tu kthyer, një muzg të flladshëm vere prizrenas…

Capture d’écran 2015-07-28 à 08.46.20

DokuFesti dhe kinematë mbi lum

Që nga viti 2000 e këndej, në Prizren ka pasur një ringjallje të dukshme të jetës kulturore, aq sa qyteti mund të quhet pa drojë “qytet i festivaleve”. Festivalet e shumta që ndodhin kryesisht gjatë verës, sjellin në Prizren njerëz nga Kosova, rajoni e bota. Më i njohuri ndër ta është Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest. Këtë vit, edicioni i XIV i DokuFest-it i hap dyert për të gjithë dashamirët e filmit në muajin gusht (8-16 gusht)
Filmat e shfaqur në kinematë krejt të veçanta si kinemaja mbi lum, kino Lumbardhi e të tjera, duken më bukur se askund tjetër.

 

 

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/pse-svjen-nprizren/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.