Shkurt.ch

Qeveria kundër urrejtjes ndaj hebrenjve dhe myslimanëve

Ministri Berset ka thënë se në Zvicër, vend që ka kulturë heterogjene, bashkëjetesa paqësore është një detyrë e përhershme

Këshilli Federal i Zvicrës ka shprehur brengosjen e tij lidhur me agresivitetin në rritje ndaj myslimanëve dhe hebrenjve në Evropë. Në një takim me Këshillin  Religjioneve në Bernë, ministri federal Alain Berset ka thënë se në Zvicër, vend që ka kulturë heterogjene, bashkëjetesa paqësore është një detyrë e përhershme.

Ministri ka përshëndetur me këtë rast qëndrimin e bashkësive fetare të të krishterëve, hebrenjve dhe myslimanëve për respekt të ndërsjellë dhe kundër racizmit, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Brendshme të Zvicrës.

Objektiv i Këshillit Zviceran të Religjioneve është krijimi i mirëbesimit në mes të religjioneve të ndryshme në Zvicër.

Bashkëjetesa në Zvicër funksionon mirë falë faktit se njerëzit dhe shumë organizata dhe institucione japin kontributin e tyre për paqen sociale, kulturore dhe fetare ka thënë Berset.

Këshilli Zviceran i Religjioneve me seli në Cyrih është ngritur në vitin 2006. AI ka për qëllim të promovojë paqen religjioze  dhe të forcojë besimin ne mes të religjioneve të ndryshme në Zvicër. Nga viti 2014 në kre të këshillit është Hisham Maizar, kryetar i federatës së organizatave islamike të Zvicrës.