Kosova

Qeveria pajis me pasaporta diplomatike familjarët e liderëve

Qeveria e Kosovës me anë të një vendimi të datës 20 shkurt, ka vendosur që përveç krerëve të institucioneve me pasaportë diplomatike të pajisen edhe familjet e presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Sipas pikës 2.1 të vendimit të Qeverisë, pasaportë diplomatike u lëshohet edhe bashkëshortit/es dhe fëmijëve deri në moshën 18-vjeçare të: Presidentit Republikës, të kryetarit të Kuvendit, të kryeministrit, të ministrit të Punëve të Jashtme dhe atij të Punëve të Brendshme, përcjell albinfo.ch.

Përveç drejtuesve të tri institucioneve kryesore shtetërore, pasaportë diplomatike u lëshohet edhe deputetëve, zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, kryetarit të Gjykatës Supreme, Avokatit të Popullit, kryesuesit të Këshillit Gjyqësor, kryesuesit të Këshillit Prokurorial, kryeprokurorit të Shtetit, komandantit të FSK-së, kryeshefit të AKI-së, kryetarit të KQZ-së, guvernatorit të Bankës Qendrore e Auditorit të Përgjithshëm.