Shkurt.ch

Radikalëve islamikë u refuzohet salla për mbajtjen e konferencës

“Këshilli Qendror Islamik i Zvicrës” (IZRS) njihet si një subjekt me orientim radikal islamik, i themeluar nga zviceranë të konvertuar në islam

E ashtuquajtura “Konferencë paqësore” e IZRS nuk do të mbahet si ishte paralajmëruar, në World Trade Center të Oerlikonit, Cyrih. Konferenca pritej të mbahej pas dy javësh dhe pronarja e ndërtesës së përmendur, Fondi Pensional i të Punësuarve të Kantonit të Cyrihut (BVK) ke vendosur që ajo të mos mbahet në ambientet që i ka në pronësi, shkruan srf.ch.  “Pas sqarimeve të detajuara është ardhur në përfundimin që ky tubim nuk bën të mbahet”, thuhet në një komunikatë.

Siç është paralajmëruar, ndërkaq, në konferencën e kontestuar do të mbante fjalim edhe një predikues i islamit radikal.

Në lidhje me konferencën e planifikuar, është shprehur edhe shefi i sigurisë në Kantonin e Cyrihut, Mario Fehr, transmeton albinfo.ch. “Jemi në kontakt me autoritetet federale dhe me ato të qytetit të Cyrihut. Është duke u shqyrtuar se kush do të marrë pjesë në këtë organizim dhe për cilët persona ka ndalesë të hyrjes në Zvicër”.

Fehr ka kritikuar me këtë rast edhe shoqërinë civile, e cila u jep shtytje aktiviteteve të tilla propagandistike. E njëjta gjë vlen në të njëjtën masë edhe për aktivitetet e të djathtës ekstreme.

“Këshilli Qendror Islamik i Zvicrës” (IZRS) njihet si një subjekt me orientim radikal islamik, i themeluar nga zviceranë të konvertuar në islam.