Zhvillim

Rahoveci dhe Suhareka, probleme për t‘i joshur investitorët

Komuna e Suharekës dhe ajo e Rahovecit janë ngjitas me njëra-tjetrën.

Por këto komuna kanë sfida të ndryshme për tërheqjen e investimeve të jashtme dhe uljen e papunësisë, sidomos te të rinjtë, raporton KTV në Prishtinë.

Komuna e Suharekës ka mjaftueshëm tokë për t’u ofruar bizneseve.

Kjo komunë ka parkun, ku janë të vendosura biznese të ndryshme prodhuese.

Por, pasi nënshkroi kontrata për dhënien në shfrytëzim të tokave, komuna u detyrua t’ua marrë, pasi bizneset nuk arritën t’i kryenin investimet sipas kontratës së paraparë.

Si pasojë e kësaj, 5 bizneseve u është ndërprerë kontrata.

Kryetari i Komunës, Sali Asllanaj, ka thënë se me të njëjtat probleme janë përballur edhe këtë vit dhe se për shkak të kësaj situate, mund të rrezikohet ardhja e një kompanie zvicerane.

Situatë krejt tjetër po ndodh në komunën e Rahovecit

Edhe në këtë komunë mërgimtarët vitin e kaluar shprehën interesimin për të investuar kapitalin e tyre, por nuk kishin ku të investonin.

Rahoveci është një nga komunat që nuk ka tokë komunale që mund të japë për bizneset.

Kryetari i kësaj komune, Idriz Vehapi, thotë se të gjitha tokat janë në përgjegjësi të Agjencisë së Pyjeve dhe se deri tash nuk ka gjetur mbështetje te qeveria.

Komuna ka dështuar të përfitojë mijëra euro nga një projekt i Komisionit Evropian për ndërtimin e një parku të përbashkët të agrobizneseve mes Rahovecit dhe Suharekës.

Të dyja komunat janë duke pritur miratimin e ligjit për investimet strategjike.

Komuna e Suharekës pret që të marrë nën përgjegjësi objektin ku deri vonë ka qëndruar KFOR-i, e që njihet me emrin Damper dhe atë t’ua ofrojë investitorëve.

Ndërsa, Komuna e Rahovecit shpreson të arrijë marrëveshje me Agjencisë e Pyjeve, e cila po ashtu premton për investitorë potencialë.

Ky ligj hasi në probleme dhe nuk u miratua nga Kuvendi për shkak të disa vërejtjeve nga Bashkimi Evropian.