Sport

Rama ankohet: Asnjë ofertë nga FC Thun

"Klubi në të cilin kam kaluar 13 vite të suksesshme nuk ka treguar kurrfarë interesimi për mua"

Milaim Rama, futbollisti veteran i FC Thun shprehet i mllefosur me veprimin e klubit të cilin ka vendosur ta braktisë. Ai thotë se më shumë i dhemb fakti se duhet ta braktisë Thunin se sa që ndjen keqardhje për përfundimin e karrierës së futbollistit aktiv. Klubi në të cilin kam kaluar 13 vite të suksesshme nuk ka treguar kurrfarë interesimi për mua”, thotë Rama për 20 minuten.

Ai thotë se pas vendimit për të përfunduar karrierën prej futbollisti, klubi i tij nuk i ka bërë asnjë ofertë për ndonjë angazhim brenda tij. Si shembull përmend rastin e kolegut nga FC Basel, Benjamin Hugel. Ky i fundit pasi ka përfunduar karrierën aktive, është pranuar në një post brenda klubit.

Milaim Rama ka mbushur më 29 shkurt 36 vjet. Ai është i lindur në një “vit të brishtë” që i mundësonte të festonte ditëlindjen vetëm një herë në 5 vite. Rama është bërë i njohur si golashënuesi më i mirë për vite të tëra i FC Thunit. Ai po ashtu ka luajtur edhe për kombëtaren zvicerane dhe, me këtë kombëtare ka luajtur edhe në kampionatin botëror të futbollit, duke qenë shqiptari i parë që ka luajtur në një kampionat të tillë.

Në sezonin që po kalon, Rama është angazhuar vetëm si rezervist dhe për këtë ai ka drejtuar disa herë kritika udhëheqjes së klubit.