CH-Ballkani

Rama: E padrejtë që populli i Kosovës, i vetmi i izoluar në gjithë Evropën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përsëritur për të katërtin vit radhazi se është e padrejtë që Kosova vazhdon të jetë e izoluar, përcjell albinfo.ch.

“Kosova meriton të shoqërohet dhe të përparojë dora-dorazi me fqinjët dhe nuk meriton të mbetet akoma e izoluar. Është i katërti vit që unë e mbaj këtë fjalë dhe janë katër vjet ku duhet ta përsëris, i vetmi popull në gjithë kontinentin që nuk lëviz dot lirisht.

Unë i di edhe arsyet e thëna, vija e kufirit me Malin e Zi arsyeja e fundit e thënë, nuk jam i sigurt nëse po u zgjidh kjo nuk do të dalë një arsye tjetër, por jam i sigurt për një gjë, që asnjë arsye nuk është mbi arsyen e qytetarëve të Kosovës për të qenë të barabartë në lëvizjen e tyre të lirë, sepse ndryshe nga ne shqiptarët e Shqipërisë, ata kanë dhe një problem tjetër të vështirë për të zgjidhur në mendjen e tyre, ishin nën diktaturë dhe lëviznin lirisht në Evropë, janë të pavarur dhe nuk lëvizin dot lirisht në Evropë”, ka deklaruar Edi Rama, raportojnë mediat shqiptare.

Shefi i Qeverisë Shqiptare në takim me diplomatë të akredituar në Tiranë, por edhe me ata evropianë që kanë vizituar Shqipërinë, nuk ka hezituar ta konsiderojë mungesën e vizave për Kosovën si turpin e BE-së.