Kosova

Rama në OKB: BE-ja të hapë negociatat për Shqipërinë, jo, izolimit të Kosovës

"Sot Ballkani perëndimor është shumë më i mirë se 7 apo 10 vjet përpara. Pavarësia e Kosovës jo vetëm nuk çliroi asnjë forcë të errët, por solli stabilitet"

Kryeministri i Shqipërisë i është adresuar me një fjalim Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku ka thënë se prioritet i këtij vendi është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

“Shpresojmë që BE-ja, pavarësisht krizës aktuale, zgjerimin ta ketë prioritet. Aq sa Shqipëria ka nevojë për BE-në, aq edhe BE-ja ka nevojë për një Ballkan më të zhvilluar e të qëndrueshëm”, ka thënë Rama.

Rama ka nënvizuar se është e nevojshme që ndërkombëtarët t’i trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjithë faktorët në rajonin e Ballkanit, përfshirë këtu Kosovën, e cila, sipas tij, ka nevojë të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare.

“Ne besojmë se anëtarësimi i Kosovës në organizmat ndërkombëtarë do t’i shërbejë stabilitetit. Shumë e kanë përdorur këtë foltore për të deklaruar se nga pavarësia e Kosovës do të lindin forca të errëta. Asgjë nga këto nuk ndodhi. Sot Ballkani perëndimor është shumë më i mirë se 7 apo 10 vjet përpara. Pavarësia e Kosovës jo vetëm nuk çliroi asnjë forcë të errët, por solli stabilitet”, ka shtuar Rama në fjalimin e tij.