Sport

Rama, nga rrugët e fshatit, te kombëtarja e Zvicrës

Në Kosovë, Milaim Rama ka luajtur, “futboll rruge”. Fama e arritur në Zvicër nuk e ka tjetërsuar. Duke qenë një yll, ai ka ruajtur modestinë

Ai është “kryeplaku” në mesin e asaj armate të të rinjve shqiptarë që kanë zënë vend viteve të fundit në skuadrat futbollistike të Zvicrës. Në 29 shkurtin e vitit që vjen, ai do të mbushë 36 vjet! Një moshë “e shtyrë” për një futbollist.

Vendlindja e tij është fshati Zhiti, i komunës së Vitisë. Atje ka mbaruar filloren dhe deri sa ka qenë në shkollën e mesme, në vitin 1993, si 17 vjeçar, bashkë me anëtarë tjerë të familjes i është bashkuar babait, në Zvicër. Deri sa ka jetuar në Kosovë, në kushtet që dihen, ai ka luajtur, siç e thotë edhe vetë “futboll rruge apo në shkollë por edhe në ligën komunale në futboll të vogël, në klubin e fshatit, “Besëlidhja””.

Kjo përvojë e dallon Milaim Ramën nga futbollistët e sotëm të rinj (edhe shqiptarë) të Zvicrës. Ata trajtohen për të luajtur futboll që nga fëmijëria e hershme, në shkolla futbolli me kushte ideale…

Për të kaluar nga futbolli “i sokaqeve”, në futbollin e një kampionati evropian, duhet, veç fatit sigurisht edhe shumë punë, vullnet dhe ambicie. Milaim Rama i ka pasur këto cilësi dhe vazhdon t`i ketë.

Por, ajo që bie në sy te ai që në takimin e parë, është se fama nuk e ka ndryshuar, “nuk i ka rënë në kokë”, siç ndodhë në shumë raste. Madje, mund të thuhet se Rama është shembulli i yllit të futbollit, që nuk është tjetërsuar dhe as nuk e ka humbur modestinë, përzemërsinë në qasje me të gjithë, lidhjen me tokën.

Albinfo.ch: Me të ardhur në Zvicër, me cilën skuadër futbolli keni filluar të ushtroni dhe të luani së pari?

Milaim Rama: Në Fc Interlaken, në ligën e pestë, amatore.

Albinfo.ch: Si ndodhi pastaj që të angazhoheshit në FC Thun, skuadër që asokohe ishte në ligën B (sot challenge ligë), respektivisht kush ju ka zbuluar si talent?

Milaim Rama: Kisha tri apo katër vite të suksesshme me Fc Interlaken, me të cilin prej ligës së pestë kalova në ekipin e parë (A) të po këtij klubi, i cili garonte në Ligën e dytë kantonale. Pas dy vitesh të suksesshme në këtë ligë erdhi natyrshëm interesimi i FC Thunit. Kjo ndodhi pasi që kisha zhvilluar lojëra të mira dhe kisha shënuar shumë gola me ekipin e përmendur. Unë kalova në Fc Thun kur atje ishte trajner Andy Egli.

Albinfo.ch: Edhe pas hyrjes së FC Thun në ligën e parë (super ligë), ju vazhduat me këtë klub. Madje, si golgeteri më i mirë i tij, ka qenë ndoshta merita juaj që klubi u ngjit në ligën më të lartë të Zvicrës. A konsideroni se kjo ka qenë “periudha e artë” e juaja si futbollist?

Milaim Rama: Po është e vërtetë që kam qenë golgeteri më i mirë i FC Thunit dhe isha më i merituari për sukseset e klubit. Vërtetë gjatë kësaj kohe isha në një formë shumë të mirë dhe për këtë arsye, pajtohem me konstatimin tuaj, se vërtetë kohën në mes viteve 2001-2004 mund ta quajmë periudha e artë e karrierës sime prej futbollisti.

Albinfo.ch: Çka ju shtyri që, pas disa vitesh të suksesshme në FC Thun, të kalonit në FC Augsburg, në ligën e tretë të Gjermanisë?

Milaim Rama: Në atë kohë kishin shfaqur interesimin për të më angazhuar disa klube në Zvicër po edhe jashtë saj, si në Gjermani dhe në Portugali. Por unë vendosa ta lë Thunin dhe t`i bashkohem FC Augsburgut, ku trajner ishte Armin Veh.

Albinfo.ch: Ju, në vitin 2004 keni luajtur në Kampionatin Evropian në Portugali, për Zvicrën. Keni qenë jo vetëm i pari shqiptar që ka luajtur ndonjëherë për kombëtaren zvicerane por edhe i pari shqiptar në përgjithësi që ka luajtur në një kampionat evropian futbolli?

Milaim Rama: Po, isha shqiptari i parë që kam luajtur në një Kampionat Evropian dhe mburrem që mu dha rasti që në këtë mënyrë ta prezantoj popullin shqiptar.

Albinfo.ch: Si jeni ndier në atë kohë si futbollist shqiptar që ka arritur të luajë për përfaqësuesen e Zvicrës? Si ju kanë pritur bashkëlojtarët dhe publiku, kur dihet se në atë kohë në këtë kombëtare nuk kanë pasur shumë lojtarë me prejardhje të huaj?

Milaim Rama: Ishte kënaqësi të marrësh pjesë në një reprezentacion si ai i Zvicrës dhe të hapësh rrugët për futbollistë tjerë shqiptarë. Akulli u thye prej Milaim Ramës… Publiku dhe bashkëlojtarët më kanë pritur shumë mirë dhe kam kaluar shumë mirë me ta. Edhe pse kam luajtur vetëm 7 lojë për përfaqësuesen e Zvicrës, mund të them se ndjehem krenar që kam arritur t`i mbroj ngjyrat e Zvicrës.

Pas Evropianit 2004 kam qenë në kombëtare edhe në një grumbullim, në vitin 2005 dhe kjo ishte hera e fundit.

Albinfo.ch: A keni pasur ndonjëherë, qoftë në FC Thun, në Gjermani ose në kombëtare, problem ose provokime për shkak të prejardhjes?

Milaim Rama: Jo, nuk kam pasur ofendime as në kombëtare e as në Thun për shkak të prejardhjes sime. Ndërkaq, unë jam munduar ta prezantoj kulturën shqiptare aq sa kam mundur. 

Albinfo.ch: Jeni kthyer sërish në FC Thun. A e keni gjetur këtu ambientin e njëjtë dhe a keni pasur mundësi që sërish të tregoni kapacitetin tuaj?

Milaim Rama: Po, jam pritur shumë mirë pas kthimit dhe jam munduar të jap përsëri maksimumin. Kam gjetur po ashtu përkrahjen e shikuesve që më japin kurajë që të tregoj aftësitë e mia.

Albinfo.ch: Pak vite më vonë, në vitet 2009-2010, doli në sipërfaqe brezi edhe më i ri i lojtarëve shqiptarë që luajnë për Zvicrën A ose U21: Shaqiri, Xhaka, Mehmedi, Bunjaku, Abrashi, Kasami… Paraqitja e këtij brezi ka bërë shumë bujë në opinionin zviceran. Ata jo vetëm që janë shumë në numër, por, thuhet se kanë sjellë një frymë të re në futbollin zviceran. Cili është mendimi juaj për këta lojtarë, në veçanti për Shaqirin, i cili aktualisht konsiderohet si futbollisti më i mirë në Zvicër, në përgjithësi?

Milaim Rama: I ndjek me interes lojërat e kombëtares së Zvicrës dhe të gjithë futbollistëve shqiptarë.

Po, brezi i ri i futbollistëve shqiptarë ka bërë shumë bujë në vitet e fundit në Zvicër. Kjo ka ndodhur edhe për shkakun se në kombëtare zvicerane tashmë nuk luante vetëm një shqiptar, sikur në kohën e Milaim Ramës. Tashti kemi më shumë, madje herë herë edhe nga 5 e 6 futbollistë shqiptarë në këtë kombëtare.

Gjithsesi për Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën e shumë lojtarë të tjerë shqiptarë kam vetëm fjalë të mira sepse ata po e tregojnë fuqishëm talentin shqiptar. 

Albinfo.ch: Si futbollist me më shumë përvojë dhe më i vjetër në moshë, çka do t`i këshillonit ata? A janë duke bërë gjithçka ashtu si duhet?

Milaim Rama: Këshilla ime është që të jenë të sinqertë, të komunikojnë me njerëz dhe të punojnë me seriozitet, sikurse deri më tash.

Albinfo.ch: Në mediet shqiptare shpesh dëgjohen kritika për inkuadrimin e futbollistëve shqiptarë në kombëtaret e huaja (sikur keni vepruar ju dhe dhe shqiptarët tjerë, në Zvicër) e jo në kombëtaren shqiptare. Cila është përgjigja juaj për këtë pyetje? A keni pasur ndonjëherë ofertë nga përfaqësuesja e Shqipërisë dhe nëse po, cila ka qenë arsyeja për të mos u angazhuar për të?

Milaim Rama: Po, kam pasur ofertë nga Kombëtarja Shqiptare por me vonesë ndërsa oferta nga ana zvicerane ishte më e shpejtë. Në këto rrethana unë vendosa t`i mbroj ngjyrat e Kombëtares Zvicerane. Kjo më ka mundësuar që të hy në histori si shqiptari i parë që ka luajtur në një kombëtare të huaj dhe, siç u përmend më lartë, edhe si shqiptari i parë që ka luajtur në një kampionat evropian.

Albinfo.ch: Cili është vlerësimi juaj për nivelin e futbollit shqiptar (në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni)?

Milaim Rama: Më duhet të them se niveli i futbollit shqiptar është mesatar. Kjo ka të bëjë me faktin se ende mungon Infrastruktura e nevojshme. Fushat ekzistuese të futbollit nuk i plotësojnë të gjitha kushtet. Mungojnë fusha ndihmëse dhe kjo sigurisht ndikon edhe më shumë në kualitetin e futbollit mbarëshqiptar.

Albinfo.ch: Në muajin shtator keni luajtur për FC Thunin kundër KF “Vllaznia” të Shkodrës. Si e keni ndier veten në këtë lojë dhe a keni pasur provokime si një shqiptar që po luanit kundër një skuadre shqiptare? 

Milaim Rama: Ishte kjo hera parë që kam shkelur në tokën e Shqipërisë. Dhe mund të them se kam respekt shumë të madh për qytetarët shkodranë, të cilët më kanë mirëpritur si një shqiptar që shkon në vend të vet. Shfrytëzoj nga rasti që t`i falënderoj edhe një herë dhe të theksoj se jam ndjerë shumë krenar që isha në Shkodër. 

Albinfo.ch: Ju posa e keni kryer një operacion të gjurit. Sa i komplikuar ka qenë operacioni dhe a ka rrezik që të mbeteni për një kohë jashtë fushës?

Milaim Rama: Operacioni ishte i suksesshëm dhe unë shpresoj qe në janar të vitit që vjen t`i bashkohem ekipit në përgatitje dhe të jem gati për fillimin e sezonit pranveror. 

Albinfo.ch: Edhe sa kohë do të luajë futboll Milaim Rama? Pas përfundimit të karrierës si futbollist aktiv, ku e shihni veten? 

Milaim Rama: Deri në mesin e vitit 2012, angazhimi është i sigurt por në qoftë se do të jem mirë me shëndet dhe nuk do të kem dhimbje në gjurin apo ndonjë telashe tjetër shëndetësore, është e mundur të vazhdoj edhe një vit. Të presim pak dhe të shohim.

Albinfo.ch: Nëse keni ndonjë përjetim të veçantë, interesant nga karriera juaj e gjatë futbollistike, a mund të na e tregoni?

Milaim Rama: Momente interesante dhe emocionuese për mua gjatë karrierës kanë qenë: hyrja në Ligën e Parë Zvicerane, pjesëmarrja në Kampionatin Evropian në vitin 2004 në Portugali me Reprezentacionin e Zvicrës, shënimi i golit të 100-të për Fc Thunin që ishte goli vendimtar për hyrjen në Ligën e parë, etj. 

Albinfo.ch: Cila është jeta private e Milaim Ramës: A jeni i martuar, a keni fëmijë?

Milaim Rama: Po, jam i martuar me Valdeten dhe kam dy fëmijë; djalin Arlindin dhe Vajzën Alketën.

Albinfo.ch: A mendoni se suksesi i shqiptarëve në futboll dhe në sportet tjera, këtu në Zvicër është duke ndihmuar për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në Zvicër?

Milaim Rama: Po është e vërtetë që me sport dhe posaçërisht me futboll po i japim një imazh pozitiv për popullin shqiptar në përgjithësi.

©albinfo.ch

©Keystone

©Keystone