Shqipëria

Rama: Ruçi ia ktheu dinjitetin Kuvendit të Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen e kryesisë dhe Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ka deklaruar se Gramoz Ruçi ia ka kthyer dinjitetin Kuvendit të Shqipërisë.

Zgjedhja e Ruçit në krye të legjislativit të Shqipërisë pati ngjallur reagime të mëdha në këtë vend, ndërsa Rama iu kundërpërgjigj te gjithëve.  “Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë Gramoz Ruçin, i cili realisht i ktheu dinjitetin sallës së Kuvendit dhe ktheu shpresën se në atë sallë mund të ketë sens dhe rregull, ku mund të flitet për njerëzit dhe jo vetëm për njëri-tjetrin. Dua të nënvizoj edhe një detaj të rëndësishëm: fillimi për herë të parë i seancave në orën fiks të përcaktuar është një normë që ne do ta respektojmë për 4 vite”, deklaroi Rama, përcjell albinfo.ch.

Në këtë  mbledhje u vendos që Ulsi Manja do të jetë kryetar i Komisionit të Ligjeve, Erion Braçe kryetar i Komisionit të Ekonomisë, Ermonela Felaj kryetare e Komisionit të Sigurisë, Mimi Kodheli kryetare e Komisionit të Politikës së Jashtme dhe Eduard Shalsi kryetar i Veprimtarisë Prodhuese.