Kosova

Rasti Dehari: Ekspertiza austriake përjashton manipulimin e video-incizimeve

Raporti ka konstatuar se të gjitha materialet paraqesin vulat kohore dhe janë gjithashtu të shikueshme

Autoritetet austriake, konkretisht Enti Federal i Kriminalistikës që operon në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Austrisë ka konstatuar se video incizimet në rastin e vdekjes së Astrit Deharit nuk janë të manipuluara.

“Materialet janë dërguar për të vlerësuar autenticitetin e tyre, nëse ka pasur ose jo ndërhyrje në to. Raporti ka konstatuar se të gjitha materialet paraqesin vulat kohore dhe janë gjithashtu të shikueshme. Raporti ka konstatuar se këto janë në gjatësi identike dhe me këtë mund të përjashtohet manipulimi i video-incizimeve dhe nuk ka pasur manipulim apo ndërprerje”, thuhet në raport të cilin e ka pranuar Prokuroria Themelore në Prizren.

Prokurori i Shtetit, pas pranimit të raportit të ekspertizës do të vlerësojë dhe analizojë të gjitha provat dhe faktet e mbledhura në këtë çështje penale dhe së shpejti do të dalë me vendim përfundimtar lidhur me këtë çështje.