Maqedonia

“Rasti Kumanova”, prokurorët i fyejnë avokatët mbrojtës

Avokatja Stefanovska mbron Mirsad Qerimin, për të cilin tha se nuk ekziston asnjë dëshmi që lidhet me organizimin ose pjesëmarrjen e tij në vepër terroriste

Dy prokurorët që merren me rastin e Lagjes së Trimave në “Rastin Kumanova”, në seancën e sotme gjyqësore kanë fyer avokatët mbrojtës, duke u thënë se “si nuk u vjen turp të mbroni terroristët”. 

Menjëherë ka reaguar avokatja Senazha Stefanovska, duke u thënë atyre se të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit dhe kanë të drejtë të mbrohen derisa gjykata të vendosë në bazë të dëshmive, raporton televizioni Alsat.

“Unë besoj se edhe gjykata do të veprojë në bazë të dëshmive të ofruara dhe të konstatojë se është bërë kjo aktakuzë”,  deklaroi avokatja Stefanovska që mbron Mirsad Qerimin, për të cilin tha se nuk ekziston asnjë dëshmi që lidhet me organizimin ose pjesëmarrjen e tij në vepër terroriste.

Veprën nuk e ka pranuar as vetë Mirsad Qerimi, i cili tha se terrorizëm ka ushtruar policia. Edhe avokati i të akuzuarit Nexhbedin Lika, Ibraim Bajrami, nuk ka pranuar aktakuzën, duke thënë se s’ka dëshmi që tregon se klienti i tij ka kryer vepër terroriste.