Sport

Reagimet e futbollistëve shqiptarë pas hedhjes së shortit

Në Grupin E, Zvicra do të ketë përballë Serbinë, Brazilin e Kosta Rikën

Futbollistët shqiptarë kanë reaguar pas hedhjes së shortit për Kampionatin Botëror, ku Zvicra do të ndeshet me Brazilin, Serbinë dhe Kosta Rikën, shkruan albinfo.ch.

Mesfushori i Zvicrës, Granit Xhaka është ndarë i kënaqur me shortin e sotëm për fazën e grupeve në Botëror.

“Përshëndetje fansa, a jeni të lumtur me shortin e Kupës së Botës 2018? Unë jam!”, ka shkruar Xhaka.

Ndeshjen e parë Zvicra do ta zhvillojë ndaj Brazilit më 17 qershor 2018 nga ora 19:00, përderisa me Serbinë përballet më 22 qershor, kurse ndeshjen e fundit në grup e luan ndaj Kosta Rikës më 27 qershor.

Pas hedhjes së shortit për Botërorin “Rusia 2018” ka ardhur edhe reagimi i parë i yllit shqiptar të Zvicrës, Xherdan Shaqiri.

“Hmm më pëlqen ky short! Po juve?! Mezi pres të luaj verën e ardhshme Botërorin e dytë për mua”, ka shkruar Shaqiri.

Po ashtu, në ‘Instagram’ ka reaguar edhe Valon Behrami. Ai ka postuar shortin, derisa ka marrë shumë komente, sidomos nga shqiptarët.