Kosova

Refuzojnë dekorimin nga Thaçi

Shtohet numri i atyre që refuzojnë të pranojnë dekoratat që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ndau për nder të përvjetorit të 10 të pavarësisë së Kosovës.

Këtë nderim nuk do ta pranojë as njëri prej ish-bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Thaçit, Fatmir Limaj, ka mësuar KTV-ja nga burime pranë tij, përcjell albinfo.ch.

Limaj pritet që së shpejti vetë të bëjë të ditura arsyet e refuzimit.

Më parë, dekoratat i refuzuan edhe Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Veton Surroi, Hydajet Hyseni, Rexhep Qosja, familja e Agim Zatriqit, Koha Ditore dhe Radio Kosova e Lirë.

Disa nga arsyetimet ishin:

“Refuzoj te dekorohem nga Hashimi, i cili personalisht me ka fyer, dhe jo vetëm në aferën Pronto”, ka shkruar Jakup Krasniqi.

“E refuzoj sepse është çmimi i dhënë prej një regjimi, i cili me politikën e brendshme dhe me politikën e jashtme i ka sjellë dhe po i sjell shumë dëme dhe komprometime shtetit të Kosovës sot”, ka shkruar Qosja në Facebook.

“Unë REFUZOJ të pranojë dekoratë nga një person si Thaçi. Dekorata e dhënë prej tij nuk më bën nder as mua e as ndonjë luftëtari të UÇK-së. Refuzoj të pranojë dekoratë nga ai i cili shet tokë të Kosovës sot ashtu sic deri më tani i shiti idealet e luftës se UÇK-së”, ka shkruar Selimi.