E-Diaspora

Refuzon të dëbohet, i duhet t’i paguajë borxhet në Kosovë

Në mënyrë të paligjshme për njëzet e katër vjet, një kosovar ka refuzuar të largohet nga Zvicra për shkak të borxheve personale që i ka në Kosovë

Gjykata e kantonit të Vaud-it i hodhi poshtë kërkesën një gjashtëdhjetëvjeçari kosovar, i cili duhej të kthehej në Kosovë që nga viti 1993. Gazeta frankofone “20minutes” shkruan për situatën e një kosovari që lufton për t’i fituar letrat në Zvicër që nga viti 1990, albinfo.ch ju përcjell historinë e tij.
Në mënyrë të paligjshme për njëzet e katër vjet, një kosovar ka refuzuar të largohet nga Zvicra për shkak të borxheve personale që i ka në Kosovë. Me ardhjen e tij në Zvicër në vitin 1990, gjashtëdhjetëvjeçarit i është dhënë për herë të parë një leje afatshkurtër. Më pas, Sekratariati për Migrim i ka dorëzuar një dokument për mospranimin e tij në Zvicër. Pavarësisht këtij dokumenti, zotëriu në fjalë është kthyer sërish për të punuar.
Tetë vjet më vonë, punëdhënësi i tij paraqet një kërkesë për leje qëndrimi. Dosja shkon gjerë te Gjykata Federale, e cila i dërgon një aktgjykim, ku thuhet se kërkesa i është refuzuar. Kosovari në fjalë nuk arrin  të kuptojë një vendim të tillë. Sipas tij, integrimi i tij në Zvicër si dhe situata ekonomike e dështuar në Kosovë duhet të jenë argumente të mjaftueshme për t’i dhënë atij një leje qëndrimi. Një opinion që natyrisht nuk e ndan gjykata më e lartë e vendit. Aplikanti i pasuksesshëm është dashur deri në dhjetor 2009 të lërë Zvicrën. Por, më në fund ai nuk u largua për shkak të një intervenimi në spital.
Pesë vjet më vonë ai ka paraqitur një kërkesë, duke thënë se është nën kujdesin mjekësor për dhimbje të krahut, për diabet dhe një tendencë për depresion. Shërbimi i popullsisë nuk është prekur nga situata e këtij të fundit dhe ka pohuar se kërkuesi mund të ketë trajtime shëndetësore edhe në Kosovë. Gjashtëdhjetëvjeçari, më pas, ka njoftuar autoritetet zvicerane se rrezikon hakmarrje fizike nëse shkon në Kosovë, për shkak se nuk ka paguar disa borxhe private. Për këtë arsye ai duhet të mbetet në Zvicër për t’i paguar ato. “Nuk ka prova në lidhje me këto borxhe”, ka përfunduar Gjykata e kantonit, duke konfirmuar dëbimin efektiv të kosovarit, vendim që mbetet në fuqi që nga 15 marsi 1993.