Shkurt.ch

Rënie rekorde e numrit të shtetasve të BE-së që migrojnë në Zvicër

Nëse trendi i tremujorit të parë vazhdon gjatë gjithë vitit, atëherë në vitin 2017 do të ketë dukshëm më pak se 60 mijë të ardhur nga vendet e përmendura

Para dhjetë vitesh ka hyrë në fuqi lëvizja e lirë e personave. Nga ajo kohë deri tash nuk ka qenë asnjëherë më i vogël numri i të shpërngulurve nga vendet e BE-së se sa në vitin që shkoi. Trendi i uljes së numrit të evropianëve që vijnë në Zvicër po vazhdon edhe këta muajt e deritashëm të vitit 2017, bën të ditur “NZZ am Sonntag”. Ajo me këtë rast u është referuar statistikave ende të papublikuara të tremujorit të parë të këtij viti.

Sipas gazetës në fjalë, saldoja e migrimit dhe emigrimit në fund të marsit ka qenë 8850 persona, që është për 13 për qind më pak se në tremujorin e parë të vitit 2016, transmeton albinfo.ch.

Dhe, ky numër është më i ulëti, që nga maji i vitit 2007, kur ka hyrë në fuqi liria e plotë e lëvizjes.

Nëse llogaritet migrimi nga vendet e BE-së së bashku me ato që nuk janë anëtare të BE-së, atëherë rënia është më e vogël gjegjësisht 2.6%.

Ndërsa nëse trendi i tremujorit të parë vazhdon gjatë gjithë vitit, atëherë në vitin 2017 do të ketë dukshëm më pak se 60 mijë të ardhur nga vendet e përmendura.

Ekspertët e shpjegojnë këtë rënie me faktin se shtetet e BE-së si Gjermania, Spanja dhe Portugalia, ekonomikisht po qëndrojnë më mirë.