Kosova

Reshitaj merr përkrahje nga Zvicra

Ministrja e Mjedisit, Albena Reshitaj, ua ka prezantuar prioritetet e saj përfaqësuesve të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, të udhëhequr nga Peter Koenig.

“Jam e shqetësuar për faktin se që nga viti 1984 nuk kemi studim të rrjedhave ujore nëntokësore dhe sipërfaqësore në Kosovë dhe është e papranueshme që ne të bazohemi ende në këtë studim, duke marrë parasysh që ndryshimet klimatike po shkojnë në disfavor të kapaciteteve ujore”, citohet të ketë thënë ministrja Reshitaj, përcjell albinfo.ch.

Në njoftim thuhet se ajo paraqiti edhe iniciativën e saj për të zëvendësuar gypat e ujësjellësit me përbërje të asbestit, të cilët, sipas ministers, janë shumë të rrezikshëm dhe rrezikojnë shëndetin e mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

Ndërsa eksperti zviceran, Peter Koenig, premtoi se do të përkrahë ministren Reshitaj në realizimin e projekteve që ka iniciuar ajo, duke përfshirë edhe përkrahjen për studentët e Hidroteknikës në Universitetin e Prishtinës në zgjerimin e njohurive të tyre praktike si dhe në vetëdijesimin e qytetarëve për menaxhimin e duhur të ujit.