Kultura

Retrospektiva e Guptas nga çeliku

Artisti bashkëkohor indian, Suboth Gupta ua tregoi gazetarëve retrospektivën e punimeve të tij të mëdha nga çeliku në galerinë prestigjioze parisiene Monnaie.

E para në Francë, retrospektiva është udhëtim i Guptas nëpër Indi, ku u inspirua nga jeta e përditshme dhe objektet duke filluar nga mjetet e kuzhinës deri tek biçikletat dhe karrocat. Një skulpturë emblematike e kafkës, e emërtuar Zoti shumë i Uritur, u ndërtua nga enët e kuzhinës dhe kova të vogla, përcjell albinfo.ch.

“Pasi mua më pëlqen shumë të gatuaj dhe të ha, e adaptova këtë si materialin tim. Dhe që nga ajo kohë kam krijuar shumëçka nga kjo”, tha Gupta.  Poezia, spiritualiteti dhe çështjet sociale po ashtu janë pjesë e punës së Guptas. Një skulpturë nga bronzi dhe alumini e karrocave me valixhe dhe dyshekë,  e quajtur Mjeti i Shtatë Deteve flet për migrimin dhe gjërat që njerëzit i marrin kur fillojnë jetën e re, u tha ai gazetarëve.

I lindur në Khagaul në rajonin Bihar, dhe tani i vendosur në Delhi, punimet e Guptas së fundi janë ekspozuar në SHBA, Britani dhe Gjermani.