Lajme

Rexhep Qosja në Javën e Kulturës në Vjenë

,,Ekziston një letërsi shqipe pa marrë parasysh nga vijnë krijuesit, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia apo nga diaspora”

Në kuadër të Javës së Kulturës në Vjenë e cila u organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri në ditën e parë u prezantua Akademiku Rexhep Qosja. Takimi u hap me fjalët përshëndetëse të Dr. Sabri Kiqmari,ambasador i Kosovës. Ai përshëndeti mysafirët e rastit në mesin e tyre Sidonia Binder, kryetare e Shoqatës së shkrimtarëve në Austri; Albert Rohan, politikan e intelektual i njohur.

Ishin të ftuar shkrimtarë, ambasador, diplomat, bashkatdhetarë e mysafir tjerë. Takimi filli me fjalë e z. Kiqmari i cili mes tjerash tha: ,,Kam rastin të iu prezanto sonte Akademikun Rexhep Qosja, i cili është i veçantë nga të gjithë për guximin e tij në shprehje edhe atëherë kur sundonte një regjim i ashpër komunist. Ai është edhe kreatorë i lirisë e pavarësisë në Kosovë. Që në vitet tetëdhjeta kur ishim student me respekt e kënaqësi të madhe e pritnim fjalën e tij. Idetë e tij për liri e pavarësi ai i pasqyroi jo vetëm në veprën e tij por edhe në veprim konkret në momentet kyçe për Kosovën. Tri janë këto momente. Qëndrimi i tij pas demonstratave të vitit 81 duke e mbështetur idenë e lirisë e pavarësisë hapur, duke i përkrahur ato. Momenti tjetër, pas thyerjeve të mëdha të vitit 1989, Rexhep Qosja me guxim foli hapur duke e përcjell mendimin e qytetarëve të Kosovës edhe në Parlamentin Europian dhe në opinionit evropian. Një moment tjetër është përkrahja e tij që i dha luftës së UÇK-së dhe pjesëmarrja e tij në Konferencën e Bambujesë”

Për veprimtarinë e Akademik Rexhep Qosjes fjalën e mbajti Prof.Agim Vinca, shkrimtar e poet

Kam shkruar e kam folur shumë herë për veprën e tij. Të flasësh për veprën e krijuesit siç është Rexhep Qosja është kënaqësie dhe përgjegjësi e madhe, sepse vepra e tij është sa letrare po aq e gjerë dhe komplekse. Akademik Rexhep Qosja është pa dyshim një nga figurat më të mëdha të letërsisë e kulturës shqiptare, por edhe një nga personalitetet më me ndikim në jetën shoqërore e politike jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri.

Akademik Qosja është zëri që dëgjohet me kërshëri si nga miqtë dhe armiqtë, të cilët ç’është e vërteta nuk janë të pakët nga të dy anët. Rexhep Qosja është një intelektual që e karakterizon guximi, dija, dhe vizioni. Si i tillë ai është pozicionuar drejtë, me përjashtime të rralla e të rastit, në situatat kyçe nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët nga viti 1968 e këndej dmth. nga koha kur ai doli në skenë si krijues në një periudhë gati gjysmëshekullore. Në veprat dhe paraqitjet e tij publike ai ka mbështetur demonstratat e vitit ’81 dhe kërkesat e tyre për avancimin e statusit të Kosovës në shkallën e republikës. Ka përkrahur pa rezervë proceset demokratike në Shqipëri në fillimet e viteve 90-ta dhe ka kritikuar rreptë shpërdorimin e demokracisë nga oligarkikët në pushtet si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë. Ka mbështetur posaçërisht daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka mbështetur gjithashtu edhe procesin e pavarësimit të Kosovës si një fazë kalimtare drejtë bashkimit të shqiptarëve në një shtet që është, sipas tij, zgjedhja e vetme dhe e drejtë përfundimtare e çështjes shqiptare në Ballkan.

Për të gjitha këto tema ai ka shkruar me mijëra faqe dhe ka dhënë me qindra intervista duke e elaboruar gjerësisht historinë e çështjes shqiptare,posaçërisht në veprën ,,Çështja shqiptare, historia dhe politika” në vitin 1994, e cila për nga rëndësia mund të krahasohet me veprën e famshme të Sami Frashërti ,,Shqipëria – ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet” dhe me studimet e kësaj natyre të historianëve Aleks Buda, Arben Puto, dhe Krist Frashëri.

Në momentet më dramatike për fatin e Kosovës, në vitet 1998-99, Rexhep Qosja hyri në politikë, pra u përfshi aktivisht në cilësinë e kryetarit të një partie politike Lëvizjes së Bashkuar Demokratike, të anëtarit të delegacionit në Konferencën e Rambujesë dhe të anëtarit të Këshillit të Përkohshëm të krahut të luftës, duke dhënë edhe në këtë mënyrë kontributin e vet sidomos në legjitimitetin e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në planin kombëtar e ndërkombëtar gjatë luftës dhe në vënien e bazave të institucioneve shtetërore të Kosovës pas mbarimit të luftës, duke u tërhequr përfundimisht nga politika në vitin 2000. Rexhep Qosja nuk hoqi dorë kurrë nga vokacioni jetësor, parësor për te në çdo situatë- krijimtaria letrare dhe shkencore.

Me punën e tij të madhe shkencore ai ka dëshmuar katërçipërisht se, puna shkencore e letrare ishte për te shumë më e rëndësishme se sa karriera politike. ,,Njëmijë herë më shumë dëshiroj të bëjë një vepër letrare shkencore që nuk do të harrohet, se sa të bëhem kryetar apo kryeministër që do të harrohet. Arti është i përjetshëm e pozitat janë të përkohshme”- thotë në një rast në replikën e tij me ata që e akuzonin dhe vazhdojnë ende për kinse karrierizëm e bajraktarizëm politik.

Profesor Vinca paraqiti më tutje në pika të shkurtra veprimtarinë e Akademik Qosjes si kritik e letrar me rëndësi në historikun e kritikës, letërsisë e të kulturës shqiptare.

Sidonia Binder, kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve në Austri në fjalën e saj u fokusua në letërsinë e krijuar në kohën e censurës komuniste e cila kohë nxori disidentët që e kundërshtuan sistemin, duke u bërë zëri i masave qytetare në kërkim të të drejtave njerëzore dhe demokratike. Ai e përshkroi akademik Rexhep Qosën si njërin nga shkrimtarët e intelektualët më të mëdhenj të Ballkanit si pjesë e Europës.

Fillimisht akademik Rexhep Qosja i përshëndeti të pranishmit duke veçuar znj. Sidonia Binder dhe Albert Rohan. ,,Albert Rohan është figurë kulturore e publike e njohur në Kosovë. Kudo që e kemi dëgjuar në Kosovë dhe në Europë fjalën e tij e kemi dëgjuar të vërtetën dhe të drejtën: për Jugosllavinë, për të drejtën e shqiptarëve në Kosovë. Albert Rohan me mendimin e tij ka kontribuar në zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës. Kosova dhe unë e nderojmë dhe e duam shumë”- u shpreh akademiku ynë, fjalë kjo e përcjell me duartrokitje nga publiku.

Akademik Qosja foli rreth zhvillimit të letërsisë shqipe në kontekst me rrethanat shoqërore dikur dhe tani. Ai mes tjerash shtoi: ,,Ka më shumë se një gjysmë shekulli që historianet e letërsisë flasin për zhvillimin e shpejtuar të disa letërsive. Disa historian për këtë veçanti përdorin edhe terme tjera dhe thonë: letërsi me pengesa, pa kontiunitet, letërsi e shtresave të përziera, letërsi e popujve që nuk i kanë pasur shtetet e veta. Këto janë letërsi të popujve kryesisht që ishin të pushtuara nga perandoria osmane: pak a shumë grekët, serbët, shqiptarët, bullgarët, malazezët, maqedonasit, rumunët. Të gjitha letërsitë i kanë historitë shoqërore në të cilat janë zhvilluar”. Qosja u ndal pastaj në veçantitë e zhvillimit të letërsisë shqipe si e veçantë në rrethana të veçanta.

© albinfo.ch: Rexhep Qosja, Sabri Kiqmari dhe Albert Rohan

Në pjesën e pyetjeve, z. Albert Rohan shtroi pyetjen: ,,A ekziston një letërsi shqipe në Kosovë e dalluar nga letërsia shqipe në Shqipëri”? Ai e krahasoi letërsinë e zhvilluar në Austri me letërsinë gjermane e cila dikur dihej vetë si letërsi gjermane. Akademik Qosja në përgjigjen e tij tha se: ,,ekziston një letërsi shqipe pa marrë parasysh nga vijnë krijuesit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia apo nga diaspora”.

Në fjalën e tij përfundimtare Akademik Qosja e uroi ambasadën e R. Kosovës në Austri dhe personalisht z. Sabri Kiqmari për organizimin e Javës së Kulturës. ,,Kjo j

Poeti i ri Alban Beqiraj lexoi në gjuhën gjermane pjesë të zgjedhura nga vepra ,,Vdekja më vjen prej syve të tillë” e cila është e përkthyer në disa gjuhë në mesin e tyre edhe në gjuhën gjermane.

Ishte kjo një mbrëmje e takimeve të shumta të krijuesve shqiptarë dhe atyre vendor e të vendeve tjera. Se afirmimi i Kosovës si shteti më i ri është i domosdoshëm edhe nga krijuesit, njerëzit e artit, kulturës e ka prekur mirë stafi i ambasadës së Kosovës dhe personalisht ambasadori , Dr.Sabri Kiqmari. Kjo përvojë duhet shtrirë edhe në qendrat tjera .