Shqipëria

Ritvan Zykaj del para gjykatës

Hetimet e fundit kanë zbuluar se Ritvan Zykaj e kishte paralajmëruar krimin e rëndë në fshatin Resulaj të Vlorës

24-vjeçari, Ritvan Zykaj, i cili vrau tetë të afërm të tij, mes të cilëve edhe dy të mitur, ka mbërritur në ambientet e Gjykatës së Vlorës për t’u njohur me masën e arrestit.

Autori i vrasjes së tetë personave pasditen e së premtes në Resulaj të Selenicës, në Vlorë, u kap mëngjesin e së shtunës nga forcat e policisë, pas disa orëve kërkimi dhe ndjekjeje, në rrethinat afër këtij fshati, raporton “TCH”.

Hetimet e fundit kanë zbuluar se Ritvan Zykaj e kishte paralajmëruar krimin e rëndë në fshatin Resulaj të Vlorës. Nga dëshmitë e dhëna në prokurori, rezulton se 24-vjeçari shpesh ju kishte thënë të afërmve “do ju bëj hatanë, ndaj mos më bini në qafë”, por askush nuk e kishte marrë seriozisht, përcjell albinfo.ch.

Prokurori i çështjes është Saimir Smaka, ndërsa gjyqtare është Esmerilda Habilaj. Ndërkohë që asnjë avokat deri më tani nuk ka pranuar të marrë mbrojë në Gjykatë Ritvan Zykajn.

Mungesa e avokatit bën që seanca të pezullohet derisa në krah të “monstrës së Selenicës” të përcaktohet një avokat kryesisht që të marrë çështjen e Zykajt.

Ai do të mbetet në burg sipas vendimit të fundit.  ‘Pse e bëre?’, ‘Po fëmijët pse i vrave?’ apo ‘Je penduar?’, kanë qenë pyetjet e para që gazetarët i kanë bërë Ritvan Zykajt, para se ky i fundit të marrë vendimin nga gjyqtarët.

Megjithatë, siç duket në pamjet autori i 8 viktimave të fisit Zykaj, shfaqet i ftohtë duke i parë drejt e në sy e duke mos i kthyer asnjë përgjigje.

Ndërkohë famijarë të familjes Hoxhallari që u vranë dhe më pas u dogjën në janar të këtij viti bëjnë apel për rikthimin e dënimit me vdekje, teksa mbajnë në duar foto të Zykajt dhe Hysnie Hoxhallarit e Kasëm Pirjasi, këta të fundit akuzohen për vrasjen e Salkie dhe Olsi Hoxhallari, nënë e bir.