Autotech

Robotët humanoidë prezantohen në panairin në Las Vegas

Robotë të llojeve të ndryshme nga mbarë bota që mund të përdoren për veprime të lloj-llojshme janë paraqitur në Panairin e Elektronikës në Las Vegas.

“Mendoj se ky është viti i parë që mund ta prekim këtë revolucion”, thotë Rodolphe Hasselvander nga kompania “Blue Frog Robotics”.

Këtë vit në treg po dalin robotë humanoidë që mund të shërbejnë si shoqërues të njeriut. Ata bashkëveprojnë me njerëzit, dhe disa madje edhe flasin dhe mund të shprehin ndjenja njerëzore. Robotë të tjerë mund të shërbejnë si kafshë shtëpiake. Ky robot mund të plotësojë fjalëkryqet, shkruan “ZëriiAmerikës”.

Përveç aftësive për të plotësuar fjalëkryqe dhe për të luajtur ping-pong, këta robotë mund të kryejnë edhe funksione të tjera praktike.

“Ky është një robot humanoid. Është i mirë ndoshta për të moshuarit, për fëmijët dhe për të rriturit që mund të ndërveprojnë me atë”, thotë Sean Wang nga Instituti i Studimeve Teknologjike Industriale.

Ata mund të bëjnë të njëjtat gjëra që bëjnë telefonat inteligjentë, dhe më shumë. Shumica e këtyre robotëve janë të pajisur me kamera që veprojnë si sytë e njeriut. 

“Është si laptopi apo telefoni juaj inteligjent. Ne kemi telefona inteligjentë të pajisur me aparat fotografik, të cilët mund të sulmohen nga hakerët”, thotë Rodolphe Hasselvander nga kompania “Blue Frog Robotics”.

Një prej tyre, roboti “Buddy” është i pajisur me kamera. Disa kompani do të kenë në dispozicion robotët socialë për konsumatorët këtë vit dhe prodhuesit e robotit “Buddy” thonë se 2018 është viti kur njerëzit do të jenë gati të pranojnë robotët socialë në shtëpitë e tyre.

Çmimet e robotëve janë ndryshme. Roboti “Buddy” kushton rreth 1.500 dollarë.

Ashtu si qeni apo macja, robotët socialë mund të bëhen pjesë e rregullt e shumë familjeve në një të ardhme jo shumë të largët.