Kultura

Rockerët zviceranë “Tunica Dartos” në Prishtinë

Festivali tradicional “Rock për Rock”, do të sjellë si mysafir special para publikut në Prishtinë grupin zviceran “Tunica Dartos”.

Grupi zviceran, që në janar ka nxjerrë në shitje albumin e ri “Sound Buffet”, përbëhet nga tre anëtarë muzikën e të cilëve e karakterizon tingulli post-rock, instrumental, njofton portali kosovar koha.

“Tunica Dartos” janë aktivë nga viti 2003, ndërsa albumin “Sound Buffet” e kanë incizuar gjatë vitit 2009 në studion “Electrical Audio”, në Chicago të SHBA-së, nën drejtimin e producentit amerikan Steve Albini.

Anëtarët e bendit janë Roman Krasniqi, Etienne Renevey dhe Christoph Stutz, nga qyteti Lucern i Zvicrës.

Gjatë viteve të fundit ata kanë luajtur qindra koncerte në Zvicër, Gjermani, Spanjë, Francë, Britani, SHBA dhe Belgjikë, ndërsa, sipas anëtarëve, janë shprehur të ngazëllyer që do tu jepet mundësia të paraqiten edhe para publikut kosovar, veç tjerash, edhe për faktin që njëri nga anëtarët – kitaristi Roman Krasniqi – ka lidhje familjare me Kosovën, meqë i ati i tij vjen nga fshati Studençan i Komunës së Suharekës.

Sipas organizatorëve të koncertit “Rock për Rock”, ardhja e rock grupit zviceran “Tunica Dartos”, në Prishtinë e bën festivalin e sivjetmë konkurrues, të dhjetin me radhë, edhe më atraktiv.

Organizatorët kanë paralajmëruar se mysafirët nga Zvicra do të dalin në skenë pasi të kenë performuar 11 grupet e reja kosovare, si dhe mysafiri tjetër, grupi “Desert Roses” nga Theranda, që ka fituar Rock për Rockun e vitit të kaluar.

Rock për Rock mbahet të mërkurën, më 8 qershor, prej orës 20:30 në skenën e Teatrit ODA, në Prishtinë, me biletën që ka çmim simbolik prej vetëm 2 euro.