Gjellëra

Role viçi

Role viçiPërbërësit:

•       700 g mish viçi i prerë në copa të holla
•       ½ filxhani majdanoz i prerë imët
•       ½ filxhani parmezani të grirë ose ndonjë lloj djathi tjetër të freskët
•       2 lugë hudhra të grira imët
•       Kripë, piper
•       6-10 feta proshutë
•       Vaj ulliri

Përbërësit e sosit të domateve:

•       Një thelb hudhre të kuqe
•       Pak hudhër të bardhë
•       12 domate të freskëta
•       4 lugë vaj ulliri
•       Kripë
•       Bosilok të freskët

Përgatitja:

Nëse copat e mishit janë më të trasha, rrihni mirë ato me çekan kuzhine që të shtypen mirë dhe të mund t’i rrotulloni më lehtë. Le të jenë e shumta 5 mm të trasha. Secilën copë lyejeni me vaj ulliri, pastaj shtoni fetat e proshutës, djathë, hudhrat, kripën dhe piperin e zi. Mos e teproni me kripë, pasi edhe proshuta është mjaft e njelmët.

Rrotullojeni mirë mishin dhe lidheni me penj kuzhine ose mbyllini mirë me ndihmën e rrëmojsave.

Rolet e përgatitura fërgojini pak në tigan, ku më parë keni vënë disa lugë vaj ulliri, mbajini vetëm pak sa të marrin ngjyrë dhe pastaj futini në sosin e domateve, të cilin e keni përgatitur në këtë mënyrë:

Në një tigan të madh vini të ngrohet ca vaj ulliri, shtoni hudhrat e kuqe dhe të bardha dhe fërgojini 2-3 minuta, pastaj shtojini edhe domatet, të cilat paraprakisht i keni qëruar dhe grirë, shtoni edhe kripë dhe lëreni të ziejë 15 minuta. Kullojeni sosin në kulluese dhe me ndihmën e lugës përpiquni t’i shtypni domatet që të kullohen mirë. Pjesën e mbetur kthejeni në enë dhe ziejeni edhe 5 minuta. Në fund shtojani edhe bosilokun.

Pasi t’i keni vendosur rolet e mishit të viçit në sosin e domateve, lërini të ziejnë në zjarr të dobët 1 orë e gjysmë, pas kësaj rrotullojini copat e mishit, lëreni të hapur enën dhe lejoni që edhe një orë të ziejë derisa sosi të trashet mirë.

Shërbejini me pasta sipas dëshirës.

Ju bëftë mirë!


 Të tjera nga Gjellëra