Literaturë

Romanet që rekomandohen të lexohen gjatë stinës së verës

Bashkë me gjërat e tjera, në çantën e plazhit gjendet edhe një libër. Ky nuk është thjesht një mjet për të shtyrë kohën, por një zgjidhje ideale për të pasuruar imagjinatën, për të bërë më të magjishëm momentet dhe për të ndier fuqinë e fjalës së përzgjedhur.

Edhepse jemi në mesin e verës, koha e artë për të lexuar romane është gjatë kësaj periudhe. Bashkë me gjërat e tjera, në çantën e plazhit gjendet edhe një libër. Ky nuk është thjesht një mjet për të shtyrë kohën; por një zgjidhje ideale për të pasuruar imagjinatën, për të bërë më të magjishëm momentet dhe për të ndier fuqinë e fjalës së përzgjedhur.

Prandaj, Bukinist ka rekomanduar 12 romane për lexim gjatë pushimeve verore. Ato vijnë si propozime nga lloje të ndryshme brenda romanit: mister dhe triler, romanca, sagë, realizëm magjik, romane psikologjike etj. Pjesa më e madhe janë nga fondi i letërsisë bashkëkohore europiane dhe botërore, botime të vitit të fundit në tregun e librit shqip. Janë përzgjedhur edhe autorë shqiptarë.

Ne jemi të bindur se secili prej këtyre librave do t’jua bëjë më të bukura pushimet verore. Le të vazhdojmë me listën e rekomandimeve si më poshtë:

1.“Origjina” nga Dan Brown

Botimet DUDAJ (2018)

Origjina është jashtëzakonisht krijues – romani më i shkëlqyer dhe më zbavitës i këtij autori deri më sot.

ROBERT LANGDON, profesor i simbologjisë dhe i ikonologjisë në Harvard, mbërrin në muzeun ultramodern Gugenhajm të Bilbaos për të qenë i pranishëm në një njoftim madhor – paraqitjen e një zbulimi që “do të ndryshojë përgjithmonë fytyrën e shkencës”. Prezantuesi i mbrëmjes është Edmond Kirsh, një miliarder dhe futurist dyzetvjeçar, të cilin, zbulimet mahnitëse në teknologjinë e lartë dhe parashikimet e guximshme e kanë bërë një figurë të famshme globale. Kirsh, që kishte qenë një nga studentët e parë të Langdonit në Harvard para dy dhjetëvjeçarësh, po bëhet gati të shpallë një zbulim të madh të habitshëm – një zbulim që do t’u japë përgjigje dy prej pyetjeve fundamentale të ekzistencës njerëzore.

3. “Nën ujë” nga Paula Hawkins

Botimet MORAVA (2018)

 

Autorja e romanit bestseller “Vajza në tren”, Paula Haëkins na paraqet tani një histori mahnitëse, plot kthesa dhe thellësisht të ndjerë, e cila tregon se sa “mashtruese” mund të jenë emocionet dhe kujtimet, por edhe se në ç’mënyrë shkatërrimtare mund ta zgjasë e shkuara dorën drejt së tashmes.

Një nënë beqare gjendet e vdekur në fund të lumit që rrjedh përmes qytezës. Më herët, gjatë po asaj vere, një vajzë e brishtë adoleshente pësoi të njëjtin fat. Ato nuk ishin gratë e para që humbën jetën në ujërat e errëta, por vdekja e tyre e trazoi lumin dhe historinë e tij, duke nxjerrë në dritë sekretet e fshehura prej kohësh. Një vajzë pesëmbëdhjetëvjeçare mbetet jetime. Pa prindër dhe pa miq, e sheh veten nën kujdestarinë e tezes, një grua e panjohur që u kthye në vendlindjen e saj për shkak të tragjedisë, në një vend ku ishte betuar se nuk do të shkelte më kurrë.

3. “Ajo e errëta” nga Enkelejd Lamaj

Botimet DUDAJ (2018)

 

Çdo vend ka (të paktën) një shtëpi të braktisur dhe çdo shtëpi e braktisur ka historinë e saj. Në Stora – fshat bregdetar pranë Sarandës – historia e shtëpisë së braktisur është e trishtë, e dhimbshme dhe e mbushur me terror. Ajo është djegur dy herë dhe në secilën prej herëve, një fëmijë ka vdekur mes rrënojave. Por kjo është vetëm njëra anë e historisë – ajo që dinë të gjithë. Ana tjetër është ajo e një bote të harruar e plot hije, që ekziston kudo, por nuk është askund dhe ku çdo gjë që ndodh, ndodh gjithmonë dhe përgjithmonë.

4. “Për dashurinë dhe demonë të tjerë” nga Gabriel Garcia Marquez

Botimet ONUFRI (2018)

 

Kur një doktoreshë shfaqet në pragun e derës së Marquis de Casalduero-s dhe parashikon një sëmundje tërbimi në qytetin e tyre port në Kolumbi, ai i shpërfill pretendimet e saj – deri në momentin kur dëgjon se vajza e tij e vogël, Sierva María, ishte një nga katër personat e kafshuar prej një qeni të tërbuar dhe e vetmja që kishte mbijetuar. Sierva María duket krejt e padëmtuar – por, ndërsa thashethemet për sëmundjen e tërbimit përhapen, Marquis dhe gruaja e tij, habiten me shëndetin e saj që vijonte të ishte mirë.

Në një qytet të mbërthyer nga supersticioni, nuk do të kalojë shumë kohë derisa ata apo kushdo tjetër, ta shohin mbijetesën e saj si të pushtuar nga djalli dhe fuqitë e saj të mbinatyrshme, si shkaktaret e fatkeqësive të qytetit. Vetëm një prift i ri në moshë, i ngarkuar me detyrën për të përzënë shpirtin e keq, kupton shëndetin e mirë të vajzës. Por a mund ta bindë ai qytetin se nuk është vajza ajo që ka nevojë për shërim?

5.“Shuma e ditëve” nga Isabel Allende
Botimet DUDAJ (2018)

 

Vitet që pasuan vdekjen e së bijës, Paulës, Isabel Alende i përshkruan në formë ditari, duke bërë një kronikë të familjes, të cilën e ka mbledhur me mund në Kaliforni. Kujtimet ndërthuren me reflektimet mbi jetën, mbi veprën e saj dhe mbi botën bashkëkohore. Marrëdhënia dashurore me burrin e dytë, Uillin, dhe ankthi për të krijuar dhe për të mbrojtur një fis të gjerë familjar janë dy lajtmotivet kryesore që mbajnë unitetin e së tërës. Isabel mban bashkë – në kuptimin e mirëfilltë të fjalës – një klan shumë të larmishëm me njerëz dhe e qeveris si një patriarke e vërtetë. E si mund të dyshosh për këtë prirje të saj pasi ke lexuar “Shtëpia e shpirtrave”?! Dhe, paçka se ndonjëherë bujaria tejkalohet e shndërrohet në ushtrim pushteti dhe në kontroll të jetës së të tjerëve, është po kaq e vërtetë se nga ky portret i gjallë dalin në pah vlerat e padiskutueshme të familjes së zgjeruar, si vend i dashurisë dhe i mirëkuptimit. Nëse aventurat e fisit dhe “të mbretëreshës” së tij luajnë rolin kryesor, nuk mungojnë reflektimet mbi pasiguritë e kohës, mbi dobësitë e një karakteri të fortë, mbi shpërblesën e shpirtgjerësisë, mbi aftësinë për të ndryshuar dhe, tekefundit, mbi dhuntinë për ta parë veten në mënyrë ironike.

“Shuma e ditëve” është një kronikë dashurish që na përket nga afër.

6. “Mbretëresha e festës së madhe” nga Adriana Trigiani
Botimet OMBRA GVG (2018)

 

Adriana Trigiani pas romanit “Gruaja e këpucarit” vjen me një tjetër roman të suksesshëm në gjuhën shqipe. Sërish një histori dashurie, në mjedise italo-amerikane, ku e kaluara rri pezull plot magji, dhe mister mbi fatet e dy personazheve të romanit, Nelës dhe Renatos. Trigiani ka një talent mahnitës prandaj edhe me këtë libër sfidon….

Në fund të viteve 1800, banorët e një fshati të vogël nga rajoni i Barit të Italisë, emigruan masivisht për në tokën e premtuar, Amerikë. Ata u vendosën në Roseto, Pensilvani dhe krijuan jetën e re, duke u kujdesur deri në detaje për zakonet dhe traditat e vendlindjes. Kremtimi i përvitshëm i Zonjës së Malit Karmel, ose Festa e Madhe, siç quhej nga vajzat e reja që konkurrojnë për të qenë Mbretëresha e festës, është energjia dhe hareja e traditës së gjallë, të botës së vjetër të Rosetos.

7. “Matja e botës” nga Daniel Kehlmann
Botimet PEGI (2018)

Romani ngjall emocione thellësisht frymëzuese rreth përpjekjeve të racionalitetit më të lartë në betejë me natyrën e egër dhe mizore të njerëzimit. Në vitin 1828, Gausi, një matematikan, fizikan dhe astronom ftohet, nga Aleksandër fon Humbold, eksplorues, gjeograf dhe shkencëtar, të shkojë në Berlin ku do të mbahet një kongres shkencëtarësh. Gausi nuk ka aspak dëshirë të marrë pjesë, nuk i pëlqen të udhëtojë, njerëzit nuk para i interesojnë; është tip i vetmuar, tejet kritik dhe gërnjar, por Humboldi është më kokëfortë dhe arrin ta bindë.

Takimi midis dy prej mendjeve më të ndritura të Gjermanisë iluministe i jep autorit shkas për të rrëfyer jetët e tyre jashtëzakonshme, që nga fëmijëria e deri në takimin e vitit 1828, duke përfshirë edhe përshkrimin lehtësisht të kuptueshëm të teorive që kanë themeluar gjeografinë dhe matematikën moderne.

Autori e shoqëron lexuesin në udhëtimet e Humboldit mbi lundra të pabindura, në majat e maleve më të larta e në thellësitë e kratereve e shpellave më të fshehta. Lexuesi përhumbet në magjinë gjeniale të zbulimeve të Gausit, duke qeshur me manitë e tij, duke u pasionuar pas ideve dhe mënyrës se si e shihte botën ai, jetën dhe të ardhmen. Ky është portreti entuziast e i përkushtuar i gjigantëve të shkencës dhe kulturës, të cilët zbresin nga piedestali dhe kthehen në personazhet zbavitëse të një komedie, tejet të saktë nga pikëpamja historike.

8. “Historia e vajzës së humbur” nga Elena Ferrante
Botimet PEGI (2018)

“Historia e vajzës së humbur” është vëllimi i katërt dhe i fundit i “Mikeshës gjeniale”, sagës që e ngriti autoren në shkallën e një prej shkrimtareve më të mira në botë. Prandaj Guardian shkruan për këtë sage: “Kurrë më pare s’është botuar diçka e tillë”.

Dy heroinat, Lina dhe Elena, tashmë kanë mbi shpinë një jetë plot ngjarje, zbulime, rrëzime dhe “rilindje”. Elena, shkrimtare e njohur, nënë e dy vajzave, kthehet në Napoli për t’i rënë pas një dashurie rinore, që u bë sërish e pranishme në jetën e saj të re. Lina nuk është larguar kurrë nga Napoli, ku arriti të ngrinte një karrierë të mahnitshme si sipërmarrëse informatike, duke ushtruar më shumë se kurrë rolin e saj karizmatik dhe magnetik si lidere e fshehtë, por e vërtetë e lagjes.

Dy gratë, pole vërtetë të kundërta të së njëjtës forcë, takohen dhe përplasen, ndikojnë mbi njëra-tjetrën, largohen e sërish gjenden, zilepsen dhe admirojnë shoshoqen.

9. “Motra tjetër” nga Kristin Hannah
Botimet LIVING (2018)

 

“Motra tjetër”, një roman i shkëlqyer! Sa i ëmbël, aq edhe i hidhur, ai eksploron gëzimet dhe hidhërimet që ndajnë motrat me njëra-tjetrën, gabimet e bëra në emër të dashurisë dhe premtimin për shpagim… të gjitha këto, të rrëfyera mjeshtërisht nga autorja e suksesshme Kristin Hannah.

10. “Gjëra të vogla të mëdha” nga Jodi Picoult
Botimet UEGEN (2018)

Një tjetër roman i shkëlqyer nga Jodi Picoult vjen në shqip. Kësaj radhe autorja sjell me ndjeshmëri të pabesueshme, inteligjencë dhe sinqeritet çështjen e konflikteve racore në ditët tona, paragjykimet, drejtësinë dhe dhembshurinë, – duke ofruar zgjidhje për çështje të komplikuara. Ky roman konsiderohet një arritje e jashtëzakonshme që një shkrimtare bën me lojën e saj narrative.

Ruth Jefferson është një infermiere mami në një spital të Connecticut, me përvojë më shumë se njëzet vjeçare në profesionin e saj. Sapo nis turnin e punës, Ruth bën kontrollin e rregullt për një të porsalindur, dhe pas disa minutave i thonë se i është ri-caktuar në paciente tjetër. Prindërit janë supremacistë të bardhë dhe nuk duan që Ruth, e cila është afrikano-amerikane, të prekë fëmijën e tyre.

11.“Kthimi” nga Albatros Rexhaj
Botimet BUZUKU (2018)

 

Albatros Rexhaj është shkrimtar që e ka gjetur rrugën te lexuesi i shumtë. Sinqeriteti dhe thjeshtësia e tij krijuese, trajtimi pa ekuivok dhe pa komplekse i temave, origjinaliteti krijues, e ka bërë emrin e tij të pranishëm në letërsinë shqipe. Mos hezitoni ta lexoni: Nuk është shkrimtari tipik që do ta hasni.

12. “Tetë malet” nga Paolo Cognetti
Botimet PEGI (2018)

Pietroja është një djalë qyteti, vetmitar e paksa idhnak. E ëma punon në një konsultore periferie dhe dhuntia e saj është të shqetësohet për të tjerët. I ati është kimist, një njeri sedërmadh e magjepsës, që kthehet nga puna në shtëpi çdo ditë i xhindosur. Prindërit e Pietros i lidh një pasion i përbashkët, themeltar: janë njohur, dashuruar, madje dhe janë martuar në mal, në rrëzë të Tri Majave të Lavaredos. Mali i ka lidhur ngaherë, edhe në tragjedi, e vija e horizontit të Milanos i ngjall herë keqardhje e herë mall. Kur zbulojnë fshatin e Granës, në rrëzë të Malit Roza, e ndiejnë se kanë gjetur bash atë që kërkonin: Pietroja do t’i kalojë të gjitha verat në atë vend “të mbyllur nga mali prej kreshtave ngjyrë hiri të metalizuar dhe nga lugina prej një shkëmbi të thepisur që nuk linte shteg për të hyrë”, por i përshkuar prej një përroi që e magjeps Pietron sa e sheh.