Gjuha

Romani “Jetë e ndalur” i Rifat Haxhijajt botohet edhe në frëngjisht

Ditë më parë Shtëpia botuese “ L’HARMATTAN” e Parisit, ka botuar romanin “Jetë e ndalur” të autorit Rifat Haxhijaj me titullin në frëngjishte "Confrontation"

Romani “Jetë e ndalur”, në dukje me temë dashurie nuk mund të përfshihet vetëm brenda një lloji.  Në të trajtohen çështje të shumta  shoqërore, psikologjike e historike.  Ngjarjet zhvillohen njëkohshëm në disa linja dhe gërshetohen shpesh me realen dhe fantastikën.

Megjithatë  romani  ka ruajtur  strukturën e tij autonome dhe në mënyrë koncize shtjellon fatin e rëndë të një familjeje  shqiptare nga Kosova, e cila  në gjysmën e dytë të shekullit të -XX- për shkak të ndërhyrjeve të pushtetit dhe skamjes  detyrohet të migrojë  në Zvicër.

Autori duke bërë përshkrim natyralist  të ngjarjeve e nxjerrë si kryepersonazh Dafinën, nëpërmjet së cilës ndriçon edhe skutat më të errëta të  unit dhe jetës së saj.

Me stilin e tij të bukur kallëzimtar Haxhijaj, rrëfen fatin  e lig dhe tragjik të Sinanit dhe Mirvetes, prindër të Dafinës, të cilët pas një rehatie  të përkohshme  dhe të një jete pa trazime në mërgim  sjellin në jetë edhe  dy vajzat e tyre Dafinën dhe Melin. Mirëpo ky  gëzim  është i shkurtër sepse kjo familje e pafat   pëson në një aksident komunikacioni dhe gati shuhet e tëra.

Faktikisht shpëton vetëm Dafina, e cila  në ato çaste tragjike ishte në shkollë.

Ajo duke dashur që ta përmbush  mungesën e familjes edhe pse ende e mitur  dhe pabërë  ndonjë parashikim për të ardhmen kthehet në vendlindje.

E gjendur në labirintin e madh të jetës ballafaqohet me shqetësime e peripeci  të shumta e të pashpjegueshme, të cilat as që i kishte imagjinuar ndonjëherë.

Ajo larg  çdo kujdesi  familjar e shoqëror gati çdo ditë viziton varrezat e fshatit  dhe bënë dialog me vetveten pranë varreve të prindërve dhe varrit të motrës së saj të vetme Melit,ku  shpeshherë shpërthen  edhe në vaj.

Në këtë roman plot dhimbje, autori vë në dukje edhe anët e errëta të shoqërisë veçanërisht  patriarkalizmin  dhe veset e këqija nëpërmjet të cilave u bëhet rezistencë normave të reja të moralit dhe të civilizimit.

Me anë të sajimit të bukur artistik, romancieri Haxhiaj godet egoizmin dhe individualizmin e ngushtë të xhaxhait të Dafinës,  i cili tregohet mospërfillës  ndaj saj  duke e përjashtuar atë nga e drejta mbi  trashëgiminë.

Moment tensionues dhe i përcjell me dhembje shpirtërore është edhe largimi i dhunshëm i Dafinës,nga shtëpia e përbashkët me axhën e saj.

Ajo e gjendur në udhëkryq dhe e revoltuar në kulm nga padrejtësitë e përjetuara ndjenë rëndë peshën e vuajtjes dhe të mjerimit,të përbuzjes dhe të përçmimit .

Dafina shpresë të vetme ka strehimin te hallë Merita në Prizren. Ajo edhe pse e sëmurë dhe në kushte të vështira tregon  empati ndaj gocës së të vëllait i cili vdiq larg atdheut.

Dafina atje bie në dashuri me Edin. Kjo dashuri  në mes tyre lind natyrshëm dhe pakurrfarë imponimi.  Autori  këtë çast të lumtur dhe të vetëm të jetës së Dafinës, e zbukuron duke e përshkruar me metafora dhe trope të shumta . Mirëpo Dafina e ndërtuar si personazh tragjik dhe  fatmjerë përjeton goditje pas goditje.

Prapë  paskrupullt  në fatin e saj individual ndërhyn xhaxhai i saj  i cili e ndan nga Edi, me çka ajo detyrohet që të braktisë frytin e saj të porsalindur Adin .

Ajo s’ duron dot këtë dhembje të papërballueshme dhe këtë moment të frikshëm e plot ankth hidhet  në lum duke u munduar që t’i japë fund jetës.

Edhe pse mbijeton, jeta më për te është e pakuptimtë dhe e pavlerë.  Nisur nga përshtypjet individuale ky roman del i ngjashëm me romanin  “Sikur t’ isha djalë” të Haki Stërmillit,ngase trajton  personazhe me fate të përafërta .

Si duket Haxhijaj  në këtë vepër letrare shtron problemet e kohës së tij. I pakënaqur nga ai ambient mbytës dhe nga ai realitet plot kontradikta nëpërmjet personazhit të tij real apo të  sendërtuar Dafinës, satirizon padrejtësitë,injorancën  e hipokrizinë e shkaktuar që sjell një shoqëri e shthurur me ligjet dhe  zakonet e saj patriarkale.

Romani “Jetë e ndalur” i  Rifat Haxhijajt  është një pasuri shtesë e kulturës sonë dhe asaj të huaj.  Andaj ai meriton të lexohet sepse  ka temë dhe përmbajtje interesante dhe s’e është tërheqës për të gjitha moshat dhe shtresat shoqërore.

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/romani-jete-e-ndalur-i-rifat-haxhijajt-botohet-edhe-ne-frengjisht/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.

 Biografi e shkurtë:

  • Emri e mbiemriRifat  Haxhijajt
  • Prejardhja:Kosovë
  • Vendi ku vepron:Zvicër
  • Profesioni:Sociologë