Kultura

“Romeo e Gjulieta” e Preljocajt, një dashuri në shtetin policor

Versioni i tij i "Romeo dhe Gjulietës" është me thyerje. E tillë siç është biografia e tij, na shfaqet edhe koreografia e Angjelinit

Në teatrin e Bazelit para disa ditësh ka filluar shfaqja e baletit “Romeo e Gjulieta” të bazuar në tragjedinë e njohur të Shekspirit, me muzikë të Sergej Prokofjevit dhe në koreografi të baletmaestros se famshëm shqiptarofrancez Angjelin Preljocaj.

Kësaj shfaqjeje të punuar enkas për Teatrin e Bazelit i kanë dhënë publicitet të madh mediet zvicerane dhe ato gjermane. Duke e prezantuar autorin e koreografisë si  shqiptar ose si “të birin e një familje emigrantësh nga Shqipëria”, gazetat si “Neuer ZürcherZeitung”, “Badischer Zeitung”, “Basler Zeitung”, “Südkurier” etj. shkruajnë se Preljocaj është bërë me kohë yll baleti në Francë dhe gëzon reputacion të padiskutueshëm edhe përtej Francës.

“Me thyerje, ashtu siç është biografia e tij, na shfaqet edhe koreografia e Angjelinit. Versioni i tij i “Romeo dhe Gjulietës” nuk përçon më asgjë nga butësia dhe subtiliteti i veprës së njohur klasike të baletit të Prokofjevit. Një pirg vëzhgimi ngrihet frikshëm, policët me uniforma të zymta patrullojnë me një qen të vërtetë mbi një mur të lartë. Frontet e konfliktit janë shtyrë. Ata që luftojnë mes vete nuk janë më, sikur te Shekspiri, dy familje rivale të barabarta por konflikti zhvillohet në mes të të fuqishmëve dhe të shtypurve. Te Preljocaj kjo “përkthehet” si shtypje e popullit, vendorëve, (Montaguet) nga një milici e ngjashme me robotët (kapuletët).

Në baletin e Preljocajt, të paatdhetë ose emigrantët janë në njërën anë dhe shtresa sunduese e paraqitur përmes njerëzve me uniforma milicësh, në anën tjetër. E gjithë kjo është materializuar shumë mirë me kostumet dhe efektet tjera vizuele të punuara nga një vizatues i njohur stripesh në Francë. Në veprën e tij Preljocaj ka inkuadruar edhe telat gjemborë të elektrizuar dhe dritat e projektorëve gjurmues.

“Romeo e Gjuljeta” në Bazel është një teatër politik shenjash nga një e kaluar. Për herë të parë Preljocaj e ka vënë në skenë këtë pjesë në vitin 1990 në Operën e Lionit. Por për asnjë moment kjo vepër nuk të duket si e mbuluar nga pluhuri i kohës, shkruajnë gazetat zvicerane dhe gjermane.

Shfaqja e parë e baletit “Romeo e Gjuljeta” të Preljocajt është dhënë më 29 prill. Sonte (6 maj) jepet shfaqja e dytë ndërsa pasojnë shfaqjet tjera më 21, 25 dhe 30 maj.