Bota

Rrëzohet aeroplani me 71 veta në bord, nuk besohet se ka të mbijetuar

Sipas autoriteteve të mbrojtjes civile, në fshatin Argunowo, në juglindje të Moskës janë gjetur trupat e disa njerëzve të vdekur

Një aeroplan udhëtarësh me 71 persona në bord (65 udhëtarë dhe 6 pjesëtarë të stafit) është rrëzuar pak pas nisjes nga Aeroporti Domededowo i Moskës, Rusi. Agjencitë ruse të lajmeve bëjnë të ditur se fluturakja e kompanisë ajrore “Saratow Airlines” është zhdukur nga rrezet e radarit pak pas nisjes nga aeroporti.

Sipas autoriteteve të mbrojtjes civile, në fshatin Argunowo, në juglindje të Moskës janë gjetur trupat e disa njerëzve të vdekur, transmeton albinfo.ch. Ministri i komunikacionit, Maxim Sokolow ishte nisur drejt vendit ku ka ndodhur aksidenti.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax ka njoftuar se pjesë të aeroplanit të shkatërruar ndodhen të shpërndara në një gjatësi prej një kilometri nga vendi i rrëzimit.

Fluturakja “Antonow An-148” ishte nisur nga aeroporti Domededowo drejt qytetit Orsk në Ural.