Lajme

Rrëzohet “Qeveria Mustafa”, Kosova shkon në zgjedhje

Për rrëzimin e qeverisë kanë votuar 78 deputetë, nga 115 sa ishin në prezent në Kuvend, ndërsa kundër votuan 34 deputetë dhe 3 prej tyre  abstenuan. Sipas Kushtetutës, pas këtij mocioni Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh

Pas një debati të gjatë dhe me shumë tensione, Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin e ngritur nga partitë opozitare, për rrëzimin e “Qeverisë Mustafa”. Për rrëzimin e qeverisë kanë votuar 78 deputetë, nga 115 sa ishin në prezent në Kuvend, ndërsa kundër votuan 34 deputetë dhe 3 prej tyre  abstenuan. Sipas Kushtetutës, pas këtij mocioni Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh.

Kjo është hera e dytë që Kuvendi i Kosovës rrezon qeverinë nëpërmjet mocionit të mosbesimit. Një rast i ngjashëm ka ndodhur në vitin 2010, kur vetë PDK kishte prishur kolaicionin që vet e drejtonte.

Sipas vlerësimeve të fundit, presidenti do të duhej që qysh nesër në konsultim me partitë parlamentare të caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Por, kryeministri në rrëzim ka kërkuar që zgjedhjet mos të mbahen në qershor për shkaka të muajit të ramazanit, por të shtyhen për në korrik.

Miratimit të mocionit, i ka paraprirë një debat i ashpër në Kuvendin e Kosovës. Mocioni ishte iniciuar nga partia opozitare, Nisma për Kosovën dhe është mbështetur edhe nga dy partitë tjera opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërsa në Kuvend u mbështet edhe nga PDK, partia e Kadri Veselit dhe nga Lista Serbe.

Në emër të parashtruesit të kërkesës, ka folur shefja e Grupit Parlamentar të partisë Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami. Ajo ka thënë se ka shumë arsye për shkarkimin e qeverisë, duke përmendur keq-qeverisjen si argumentin kryesor.

Bajrami ka ftuar deputetët ta votojnë mocionin, duke konstatuar se vendi është zhytur në një krizë të thellë dhe se tani, rruga e vetme për të dalë nga kjo krizë mbetet shkarkimi i qeverisë dhe caktimi i zgjedhjeve të reja, të parakohshme.

Ndërkaq kryeministri Isa Mustafa e ka cilësuar mocionin si “një pamflet politik që nuk ka asnjë bazë”.

Mocioni dhe nënshkrimi i tij nga deputetët, ka theksuar Mustafa është “një lojë politike dhe ka si qëllim fshehjen e adresave për krimet dhe aferat korruptive”. Sipas Mustafës, sukseset e qeverisë nën udhëheqjen e tij ishin të mëdha si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Zenun Pajaziti, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës tha se këto javët e fundit kishte disa përpjekje të PDK-së që të bashkëbisedojnë me LDK-në për problemet dhe proceset aktuale. Ai ka ftuar deputetët e PDK-së që të votojnë unanimisht, siç tha ai, “për vullnetin që e shprehin edhe qytetarët e Kosovës”.

Sipas tij, Isa Mustafa në prezantimin e tij, ishte i njëanshëm, ngase shumë të arritura, siç tha ai, janë përparime të arritura në vazhdimësi.

Krahas 30 nënshkrimeve nga deputetët e tri partive opozitare, mocioni është mbështetur edhe nga 8 deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila është në pushtet, si dhe 4 deputetë tjerë, kryesisht të pavarur.

Deputeti i LDK-së, Anton Quni ka deklaruar se mocioni nuk është i opozitës por i Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, të cilët e bëjnë të vazhdojë rrugën e tij politike, derisa t’i sheh ata prapa grilave sepse aty e kanë vendin. Ai tha se Veseli e Thaçi nuk janë për stabilitet ekonomik, nuk janë për stabilitet, duhet të japin llogari pse nuk kemi siguri në veri.

“Unë i njohë këta njerëz. Këta të lënë në gjysme të rrugës. Sot munden me dal  fitimtarë, por ju garantoj se Veseli dhe Thaçi janë ata që më detyrojnë të qëndroj në Kuvend. Por, një gjë dua t’u garantojë se të gjitha ato mjerime që i keni shkaktuar qytetarëve ju po me detyroni t’u shoh prapa grilave sepse  aty e keni vendin”, ka thënë Quni.

Por menjëherë pas këtij debati, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu i akuzoi Anton Qunin dhe Adem Salihajn, nga LDK se janë dëshmitarë të Gjykatës Speciale. Ata këto deklarata i mohuan.