Shkurt.ch

Rrëzohet skelja e spitalit, për fat të mirë pa pasoja në njerëz

Në një kantier në Spitalin Kantonal të Frauenfeldit, është rrëzuar një skele e madhe. Ajo ishte montuar gjatë natës dhe nën mjegullën e dendur

Çaste të tmerrshme në një kantier në Spitalin Kantonal të Frauenfeldit. Gjatë ndërtimit nga fundi i muajit prill ë,shtë rrëzuar një skele me gjatësi prej tridhjetë metrash. “Është vetëm një rastësi që askush prej njerëzve nuk ka pësuar, bile as që ka humbur jetën ndokush”, është i mendimit një dëshmitar. Ai i ka dërguar fotot e ngjarjes tek e përditshmja “Tagblatt”, përcjell Albinfo.ch.

Vetëm nga fakti se elementet e skeles kanë qenë të ngjitura njëra me tjetrën, konstruksioni nuk është rrëzuar i tëri. “Po të kishte qëndruar ndonjë punëtor në, dhe nën skele, me siguri se do të shkaktohej katastrofë”.

Përgjegjësit e kantierit janë të vetëdijshëm se ka mundur të ketë ndodhur ndonjë gabim. Nga ana tjetër, udhëheqësia e firmës e cila e kishte marrë përsipër ndërtimin e skeles, nuk është prononcuar lidhur me ngjarjen.

Një ekspert i montimit të skeleve i cili ka dashur të mbetet anonim, ka pohuar se gabimi ka ndodhur për shkak të neglizhencës. Mund të flitet për fat që nuk ka ndodhur diçka më tragjike.