E-Diaspora

Rriten dërgesat e mërgimtarëve në Kosovë

Për rreth katër për qind  kanë shënuar rritje dërgesat financiare që kanë ardhur në Kosovë nga emigrantët.

Bëhet fjalë për një rritje në tre mujorin e parë të këtij viti, krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërsa në pjesën e dytë të vitit pritet të rriten dërgesat e emigrantëve, pasi gjatë kësaj periudhe diaspora viziton Kosovën  për pushime.

Kosova tradicionalisht ka pasur diasporë të madhe dhe ekonomia e saj vazhdimisht është njohur për  varësinë e lartë nga dërgesat e emigrantëve.

Diaspora, ka rëndësi të madhe në stimulimin e zhvillimit ekonomik dhe zvogëlimin e çekuilibrit makroekonomik.

Njohës të çështjeve ekonomike thonë se dërgesat e emigrantëve  ndikojnë në zbutjen e varfërisë, në mirëqenin e përditshme në shkollim, por jo në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, transmeton albinfo.ch.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës Besnik Kada, ka thënë për tesheshi.com se në tremujorin e parë të vitit 2015, vlera e remitencave të pranuara në Kosovë arriti vlerën prej 159.3 milionë euro, që paraqet një rritje prej 21.7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.” Ndërkaq shuma e remitancave gjatë vitit të kaluar, pra me 31 dhjetor 2014 ishte 693 milionë e 700 mije euro.

Shikuar në pesë vitet e fundit, ka një trend të rritjes së remitencave nga jashtë vendit.

Ne vitin 2010-të dërgesat ishin 584 milionë e 300 mije euro. Në vitin 2011-te dërgesat ishin 584 milionë e 800 mije euro. Në vitin 2012-të dërgesat ishin 605 milionë e 600 mije euro. Në vitin 2013-te dërgesat ishin 620 milionë e 800 mijë euro. Në vitin 2014-të dërgesat ishin 693 milionë e 700 mijë euro.

“Siç po shihet edhe në treguesit e viteve të fundit, kemi të bëjmë me rritje të vazhdueshme të dërgesave të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në perëndim”, thotë Kada.

Profesori i ekonomisë Naim Gashi ka thënë për tesheshi.com se diaspora është investuesi më i madh në Kosovën e pasluftës, me 5 miliardë euro investime në 10 vitet e fundit dhe se dërgesat nga diaspora janë financuesi më i madh Kosovës së pasluftës.

Profesori Gashi thotë se remitencat vazhdojnë të luajnë një rol të madh në ekonominë e Kosovës, duke kontribuar në rritjen ekonomike dhe duke shërbyer si të ardhura shtesë të njerëzve në nevojë.

Pa remitenca më shumë varfëri

Sipas një raporti të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, në skenarin pa migrim dhe remitenca, vlerësimet tregojnë se, nëse familjet pranuese në Kosovë nuk do të pranonin remitenca, norma e varfërisë do të ishte dukshëm më e lartë për këtë grup.

“Norma e varfërisë do të kishte ndryshuar nga 26 përqindëshi i vëzhguar në rreth 52 për qind, që paraqet një rritje prej 100 për qind”, thuhet në raport.

Sipas këtij raporti, që nga fundi i  viteve të 60-ta, migrimi dhe remitancat kanë pasur një rëndësi të madhe për ekonominë e Kosovës dhe se literatura mbi historinë e emigracionit kosovarë sipas raportit ndahet në katër faza.