Kosova

Rriten pagat në Kosovë

Qeveria e Kosovës gjithashtu ka vendosur të rritë për 20% ndihmat për familjet në asistencë sociale

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar propozimin për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarve që marrin paga nga buxheti i Kosovës.

Sipas këtij vendimi pagat rriten  4 përqind mbi pagën bazë, duke filluar nga 1 janari i vitit 2018, përcjell albinfo.ch.

Ministri i Financave, Bedri Hamza është shprehur se me këtë vendim aprovohet rritja e pagave nga një janari dhe bëhet në përputhje me rritjen ekonomike.

Këtë lajm kryeministri Ramush Haradinaj e ka quajtur lajm të mirë për të gjithë. Sipas tij kanë pasur konsulta me të gjitha sindikatat dhe janë zotuar që të mbajnë vëmendje tek rritja e pagave.

Qeveria e Kosovës gjithashtu ka vendosur të rritë për 20% ndihmat për familjet në asistencë sociale.

Mbi 26 mijë familje marrin asistencë sociale në Kosovë. Shuma mujore përcaktohet sipas numrit të anëtarëve të familjes dhe kostos së shportës së ushqimit, përkundër lëvizjes së çmimit të disa artikujve.